Policia e Kosovës i tha të enjten Zërit të Amerikës se që nga data 26 gusht e vitit të kaluar kur ka hyrë në fuqi ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19dhe deri më 1 qershor të këtij viti, ka shqiptuar më shumë se 205 mijë gjoba për mos zbatimin e masave kufizuese.

Të prekur nga gjobat, një pjesë e bizneseve private në Kosovë po kërkojnë faljen e tyre si një mundësi për të mbështetur rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë.

Fatos Mexhuani që udhëheq një kafene në Prishtinë dhe njëherësh është pjesë e shoqatës për mbrojtjen e bareve dhe restoranteve thotë se falja e gjobave do të ndihmonte këtë sektor që mbetet më i godituri nga masat kufizuese.

Në të kundërtën nëse këto mbesin do të jenë barrë shumë e madhe për bizneset dhe qytetarët duke e ditur që shteti neve nuk ka mundur dhe nuk mundet tutje të na ndihmojë kjo do të ishte një lehtësim shumë i madh”, thotë ai.

Zoti Mexhuani thotë se bizneset po përballen me vështirësi financiare për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj kreditorëve.

Nga fillimi i pandemisë edhe kur janë konfirmuar rastet e para ne kemi qenë të mbyllur total dy muaj pastaj kemi pasur pengesa me orare të ndryshme pastaj kemi pasur rregulla brenda lokalit të mos punojmë, terrasa me numër të caktuar të klientëve dhe një shifër e madhe për biznesin diku milionëshe që janë humbur po ashtu vende të punës që janë humbur”, tha ai.

Falja e gjobave ndaj bizneseve të prekura nga situata me COVID-19 pritet të jetë pjesë e një interpelance në parlamentin e Kosovës e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë.

Kjo nismë po përkrahet nga Oda e Afarizmit e Kosovës. Qëndresa Ibrahimi nga kjo odë tërheq vërejtjen edhe tek paqartësia e masave kundër COVID-19.

Janë dëmtuar një numër i madh i bizneseve sidomos ato të sektorit të gastronomisë, shumë biznese janë dëmtuar edhe pa të drejtë për shkak që vendimet që janë marr nga ana e institucioneve të vendit në shumë raste kanë qenë të paqarta andaj si rezultat i mos dijes apo mos marrjes së informacionit të saktë se si duhet të veprohet në rastin konkret atëherë bizneset kanë pësuar gjoba të ndryshme”, tha ajo.

Por, Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se qeveria duhet të ketë kujdes në trajtimin e kësaj çështje pasi që mund të dërgoj mesazh të keq për pandëshkueshmërinë.

Nëse ka pasur arsye të qarta për mos pagesë të këtyre borxheve dhe gjobave atëherë mund të ketë edhe falje të tyre por jo për shkak të papërgjegjshmërisë të këtyre bizneseve për shkak të rritjes së profitit të tyre tash këta të shpërblehen me falje të borxheve në kurriz të bizneseve të përgjegjshme të cilat edhe në kohën e pandemisë kanë gjetur forma dhe mundësi për të paguar obligimet ndaj shtetit”, tha ai.

Zoti Zekaj thotë se qeveria nuk duhet të ushtrojë qasje selektive në çështjen e gjobave.

Të mos favorizojë qytetarët dhe bizneset e papërgjegjshme në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve të përgjegjshme sepse kështu po krijojmë një kulturë që të gjithë ata që nuk i paguajnë borxhet, të gjithë ata që nuk i paguajnë obligimet dhe gjobat e tyre vjen një moment dhe një qeveri që tregohet gjeneroze, tregohet populliste këto borxhe i fal kurse qytetarët të cilët janë të përgjegjshëm vazhdojnë të paguajnë obligimet e tyre dhe të njëjtit nuk kanë ndonjë lehtësi”, tha ai.

Hulumtimet e ndryshme të publikuara nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare vënë në pah se ekonomia e Kosovës ka pësuar goditje të rëndë përgjatë pandemisë e cila kohët e fundit duket të jetë zbutur gjykuar nga rënia e numrit të personave të prekur nga koronavirusi. Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike regjistroi 12 raste të reja pas mbi 2 mijë e 600 testimeve./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA