41 mijë prona u rivlerësuan/ Të ardhurat nga amnistia shkuan në 39 milionë euro

03/06/2021 15:47

41 mijë biznese dhe individë shfrytëzuan mundësinë për të bërë rivlerësimin e pronës së tyre.

Duke paguar një shumë prej tre përqind, bizneset dhe pronarët e banesave rritën vlerën e pronës së tyre në treg ndërsa në buxhetin e shtetit shkuan 39 milionë euro.

Amnistia që ndërmori qeveria një vit më parë për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme duket se i ka dhënë frymëmarrje individëve e bizneseve. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, prej shkurtit të vitit 2020 kur edhe nisi procesi e deri në fund të majit të këtij viti kanë përftituar nga rivlerësimi 41 462 individë dhe biznese, që kanë bërë përafrimin e vlerës së pronës së tyre me atë të tregut duke paguar taksë vetëm 3%.

Sipas të dhënave muajt që kanë pasur numrin më të lartë të aplikimeve janë nga shtatori deri në dhjetor të vitit të kaluar, kur ishte planifikuar të përfundonte procesi, i cili u shty më pas nga qeveria deri në fund të 2021 si pasojë e pandemisë Covid-19.

Vendimi për shtyrjen duket se është mirëpritur, pasi interes ka pasur edhe në muajt e parë të këtij viti pasi janë rivlerësuar mbi 9900 prona në të gjithë vendin.

Qarku i Tiranës kryeson edhe listën me më shumë prona të rivlerësuara, ndjekur nga zonat bregdetare të Durrësit, Vlorës e Sarandës, teksa interes të lartë për të përfituar nga kjo nismë lehtësuese që ndihmon qytetarët e sipërmarrjet t’i rrisin vlerën pronës së tyre ka pasur dhe në qarkun e Shkodrës dhe Elbasanit.
Rivlerësimi veç lehtësisë që ofron për qytetarët, shihet edhe si një mënyrë për të grumbulluar të ardhura për arkën e shtetit. Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës deri në fund të muajit maj, nga ky proces kanë hyrë në buxhet mbi 4.8 miliardë lekë apo rreth 39 milionë euro.

Qytetarët kanë edhe 7 muaj kohë për të përfituar nga amnistia për rivlerësimin e pronave të tyre, i cili vlen edhe për pronat e rivlerësuara më parë duke paguar vetëm 3% tatim, nga 15% që është norma nëse rivlerësimi bëhet përtej këtij afati në mënyrë vullnetare.

Top Channel