Stoltenberg: Kina dhe Rusia më agresive, po nuk forcuam mbrojtjen na mbytën!

02/06/2021 14:18

Një prej efekteve të shumta të Covid 19 lidhej edhe me shpenzimet e mbrojtjes. Në 2014-tën, vende
anëtare të NATO-s ranë dakord në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive në Galles me shtysën
amerikane për ti çuar në 2024-tën këto shpenzime në nivelin e 2% të GDP-së së secilit.

Sekretari i përgjithshëm i aleancës veri-atlantike, Jens Stoltenberg, nuk i inkurajon kufizimet e fondeve për forcat e armatosura. Sipas tij, pavarësisht vështirësive që ka sjellë pandemia, sfidat me të cilat haset aleanca janë të tilla që e kërkojnë medoemos një mbrojtje të fortë.

I pranoj plotësisht pasojat që pandemia ka pasur mbi aleatët e NATO-s, dhe i përgëzoj për mënyrën sesi janë mobilizuar kundër virusit. Por në të njëjtën kohë, kërcënimet e sfidat me të cilat përballeshim përpara saj, janë gjithmonë aty. Me rritjen e Kinës, një Rusi më agresive, paqendrueshmërinë që shohim në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, apo Shtetin islamik, ne duhet të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen tonë. Ajo që mësuam nga pandemia është se jetojmë në një botë më të paparashikueshme dhe se lipset që të jemi të përgatitur për kriza të reja, përfshirë dhe krizën e sigurisë”, thotë numri një i NATO-s, ish kryeministër i Norvegjisë.

Në 14 qershor, Stoltenberg do të drejtojë samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të Nato-s. Në Galles,
vendet anëtare ishin 28. Me hyrjen e Malit të Zi në 2017 dhe Maqedonisë së Veriut në 2020, tani do të
jenë 30.

Mbërritja e presidentit demokrat amerikan Joe Biden në Bruksel do të bëjë edhe më zyrtar
kthimin e SHBA-së në një pozicion më konstruktiv brenda aleancës.

Top Channel