Maturantët e shkollës artistike “Jakov Xoxa” në Fier dhanë provimet e fundvitit, ose siç njihen ndryshe diplomat në lëndët artistike.
Mes nxënësve të talentuar në degët e muzikës dhe arteve pamore, Ergi Cane dallohet për virtuozitet në interpretimet e tij. 18-vjeçari, performoi një repertor të pasur nga kompozitorë botërorë si Bah, Beethoven, Shumann, Shopen etj, duke përjetuar emocione të skenës dhe provimit njëkohësisht…
Prej 12 vitesh, 5-6 orë në ditë, ai ia kushton instrumentit të pianos, ndërkohë që është nxënës ekselent në arsimin e përgjithshëm. Edhe gjatë këtij viti akademik, pavarësisht ndërprerjes për shkak të pandemisë, Ergi ka vazhduar studimin me të njëjtin ritëm.
Ndonëse në moshë fare të re, 18-vjeçari ka marrë pjesë dhe ka fituar disa çmime të para në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare. Përkushtimi për pianon ka bërë qe i riu të ketë më shumë kërkesa ndaj vetes në rrugën e bukur dhe të vështirë te artit. Studimet e larta, Ergi dëshiron t’i vazhdojë në ndonjë nga shkollat prestigjioze në Europë.
Mësuesja e Ergit, e cila gjatë 40 viteve ka nxjerrë shumë talente, ndihet e lumtur që karrierën e saj e mbylli me një nxënës të talentuar.
Në historinë e tij 55-vjeçare, liceu artistik i Fierit ka nxjerrë artist si violinistja Evis Gega, apo pianistja Mirela Sopiqoti, të cilët interpretojnë në Paris, Berlin, Londër apo edhe në SHBA.
Top Channel