Meksikë hapet papritur toka, banorët tmerrohen nga gropa 100 metra

02/06/2021 17:18

Një gropë 100 metra u hap papritur përpara syve të tmerruar të banorëve të një zone rurale në rajonin e Pueblas në Meksikë. Ata thonë se dëgjuan një gjëmim që fillimisht iu duk si rrufe. Por vetëm pak më pas, familja Sanchez zbuloi se vetëm pak metra nga shtëpia e saj, në mesin e fushës ishte hapur një krater gjigant.

Gropa e rrethuar nga fusha të gjelbra, është mbushur shpejt me ujë. Në fillim, diametri i saj ishte vetëm 30 metra, por më pas u zgjerua në 60 dhe këtë mëngjes shkoi në gati 100.

“U llahtarisëm, nuk kemi hyrë në shtëpi po rrimë në rrugë. Nuk kemi asgjë veç rrobave të trupit, Nuk jemi nga kjo zonë, nuk kemi as të afërm këtu, jemi vetëm”, tha për shtypin vendas Heriberto Sánchez.

Shkencëtaret dhe autoritetet po përpiqen të përcaktojnë origjinën e kësaj grope të stërmadhe e mes hipotezave kryesore është ajo e arsyeve gjeologjike apo variacioneve hidrike të terrenit, ndërsa aktivistët mendojnë se mund të jetë pasojë edhe e shfrytëzimit pa kriter të burimeve ujore në zonë nga ana e industrive.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel