Të imunizohen të gjithë! Vendet e BE-së nisin vaksinimin e adoleshentëve

01/06/2021 07:50

Rumania dhe Italia nisin sot vaksinimin e adoleshentëve kundër koronavirusit, duke u bërë vendet e para të Bashkimit Europian që e hedhin një hap të tillë.

Vetëm një ditë më parë, KE-ja miratoi përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te fëmijët 12 vjeç e lart, ndërsa Agjencia Europiane e Barnave e kishte dhënë OK-in që një javë më parë. Tani, secili nga 27 vendet anëtare të BE-së mund të vendosë nëse do ta zgjerojë ose jo fushatën e vaksinimit me përfshirjen e adoleshentëve.

Shtete të tjera të bllokut pritet të ndjekin shembullin ë Italisë e Rumanisë, ndonëse disa mund të zgjedhin t`i japin në vazhdimësi prioritet vaksinimit të të rriturve dhe fëmijëve me probleme shëndetësore, që konsiderohen edhe më të rrezikuar nga koronavirusi. Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e kanë miratuar më herët përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te fëmijët 12 vjeç e lart.

Në përgjithësi, konsiderohet se vaksinimi i ka reduktuar normat e infeksionit duke ndihmuar në frenimin e tij dhe në rihapjen e ekonomive. Deri më sot, gjysma e të rriturve amerikanë janë vaksinuar plotësisht kundër Covid 19. sëmundja vazhdon të mbetet sidoqoftë kërcënim i madh në disa vende.

Në Amerikën Latine, Peruja njoftoi se ka dyfishuar numrin zyrtar të viktimave nga koronavirusi, pas aplikimit të kritereve të reja. Numri i ri në vendin me 32.6 milionë banorë është mbi 180,000 jetë të humbura.

Top Channel