Të hënën nisin shembjet në bregdet/ Paralajmërimi i Ramës: Shkatërrojini vetë ndërtimet pa leje

01/06/2021 19:34

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen javën e ardhshme të një operacioni masiv në të gjithë Shqipërinë, nën emrin “Bregdeti Ynë” për shembjen e objekteve pa leje.

“ Operacioni fillon të hënën e ardhshme dhe unë dua që t’jua përcjell këtë mesazh të gjithë atyre që e dinë vetë që janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit: Të lexojnë Kodin Penal e menjëherë të marrin masa tani, se do jetë vonë nga e hëna. Të lexojnë Kodin Penal se çfarë i pret në momentin kur konstatohet flagranca nga Policia e Shteti dhe në momentin kur duhet të ballafaqohen drejtpërdrejtë për këto shkelje të rënda e të fillojnë t’i prishin vetë”, u shpreh Kryeministri.

Ndëshkimet tha kryeministri nuk do të kursejnë edhe ata që janë përfshirë në ndërtimin e të tilla objekteve.

“ Dua t’jua bëj shumë të qartë të gjithë zinxhirit, që nga inxhinierët tek punëtori më i fundit që përfshihen në këto ndërtime, me Kodin e ri Penal janë të gjithë pjesë e zinxhirit të fajësisë dhe përgjegjësisë se nuk mundet dot të thuash që unë jam një punëtor, më morën e nuk di çfarë bëj, se është njësoj si të thuash unë jam një punëtor, më morën të mbillja bar, por në fakt, unë mbillja kanabis. Është e njëjta gjë dhe të gjithë do të ndalohen e do të penalizohen”, tha Rama.

Operacioni “Bregdeti Ynë” do të nis nga Shëngjini dhe koordinohet nga Ministria e Brendshme bashkë me Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Sakaq kryeministri kërkoi hetim edhe për inspektorët e policisë në terren ku janë rishfaqur ndërtimet pa leje.

“SHÇBA-ja do i shkojë deri në fund kësaj pune, por njëkohësish dhe punonjësit e policisë duhet të jenë të mirëinformuar që njësoj si lufta me krimin në rrugë, njësoj si lufta me kultivimin e lëndëve narkotike, edhe kjo ka një hartë, ka një përgjegjësi. Nëse në zonën tënde të përgjegjësisë ndodh një ndërtim pa leje, je ti përgjegjësi se këtu nuk bëhet fjalë për një aktivitet të shpejtë, por bëhet fjalë për struktura që ngrihen, për beton që hidhet e kjo do të thotë që ti je bashkëpunëtor në shumë raste”, u shpreh kreu i qeverisë.

Gjatë dy mandateve tw qeverisë socialiste janë ndërmarrë operacione të ngjashme megjithatë ndërtimet pa leje vijojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA