Për herë të parë dronët ushtarakë kanë sulmuar njerëz pa u udhëzuar nga të tjerë, thotë raporti i OKB (fotot)

01/06/2021 16:53
Proteste ne Berlin kunder perdorimit te roboteve ne lufte

Një raport i Këshillit të Sigurimit të OKB ka thënë së fundmi se për herë të parë robotët ushtarakë kanë sulmuar njerëz në mënyrë autonome, pa u udhëzuar nga operatorë njerëzorë.

Raporti thotë se droni me inteligjencë artificiale – Kargu-2 me katër helika – i prodhuar nga kompania ushtarake turke STM, ka qëlluar ndaj ushtarëve të gjeneralit libian Khalifa Haftar teksa po tërhiqeshin.

Në raportin me 548 faqe të ekspertëve të OKB, nuk jepeshin detaje nëse sulmi kishte shkaktuar vdekje por ngre shumë pikëpyetje nëse përpjekjet globale për ndalimin e mjeteve inteligjente të luftës, po rezultojnë të kota.

Gjatë këtij viti, forcat qeveritare libiane kanë shtyrë larg kryeqytetit libian Tripoli, ushtarët e gjeneralit Haftar, dhe droni turk në zonë mund të ketë qenë duke operuar aty prej një viti.

“Karvanet e ushtarakëve në tërheqje u ndoqën dhe u qëlluan nga mjete luftimi pa pilot, siç ishte në këtë rast droni STM Kargu-2,” thuhet në raport.

Modeli Kargu ështëy një dron që “sillet në ajër” dhe përdor inteligjencë artificiale që “mëson” klasifikimin e selektimin e objekteve, e më pas sulmimin e tyre.  Droni ka gjithashtu aftësi “tufe” duke integruar kapacitetet me rreth 20 dronë të tjerë të tipit të tij.

“Sistemet autonome të armatimeve janë programuar të sulmojnë objektivat pa lidhje të dhënash mes operatorit dhe armatimeve të tyre, pra ata kanë aftësi zbulimi, hapje zjarri dhe harrese”, shkruajnë ekspertët në raport.

Studiues të famshëm të robotikës dhe inteligjencës artificiale, si dhe figura madhore të shkencës si  Noam Chomsky apo Stephen Hawking kanë bërë thirrje për ndalimin “sistemeve autonome sulmuese të armatimit” që mund të vrasin njerëz sipas programimit të tyre.

Ekspertët thonë se procesorët e vrasësve autonomë funksionojnë duke klasifikuar e identifikuar objekte si autobuzë, makina apo civilë,  por ato nuk janë mjaftueshëm të sakta për marrjen e vendimeve të sakta, dhe shpeshherë objektivat janë të gabuar.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA