Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se bashkëpunimi trans-atlantik për dialogun Kosovë-Serbi është i shkëlqyeshëm.

Diplomati slloven lëshoi sinjale për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor se viti 2021 ka potencial të jetë i mirë për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe këtyre shteteve të cilat secila veç e veç po presin lajme të ndryshme rreth proceseve integruese në të cilat po kalojnë.

Lajçak tha se qëllimi i vizitës dyditore në Kosovë është përgatitja e takimit të parë të nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Bashkëpunimi ynë është i shkëlqyeshëm dhe nuk mund të bëhet më i mirë. Natyrisht demonstrimi më i mirë i këtij bashkëpunimi është fakti se Matt Palmer është këtu dhe se kemi pasur këtë program së bashku. Kam kënaqësinë të them se bashkëpunimi trans-atlantik në çështjen e dialogut dhe Ballkanit Perëndimor është i shkëlqyeshëm”, tha ai.

Në konferencën e përbashkët për medie me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Mattheë Palmer, Lajçak tha se ka pasur takime të dobishme me krerët e shtetit në Kosovë.

“Qëllimi parësor i kësaj vizite është të përgatitet takimi i parë i nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, i cili do të mbahet pas disa ditësh. Prandaj, unë jam këtu dhe programi fokusohet në katër takime kyçe. Presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe negociatorin zotëri Bislimi dhe zonjën Gërvalla. Kemi pasur takime të para së bashku dhe kanë qenë të dobishme, pasi na kanë ndihmuar neve të përgatitemi për takim. Duam që ky takim të jetë i suksesshëm. Komenti im i fundit është se ky vit ka potencial të jetë vit i mirë për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, është një rritje e interesimit për rajonin”, u shpreh Lajçak.

I pyetur për deklaratat e tij rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak tha se nuk ka thënë se duhet ndryshohet Kushtetuta e Kosovës për t’iu përshtatur të njëjtit, por është praktik që zotimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare të përfshihen në legjislacionin e vendit përkatës.

“Ajo çfarë kam thënë ka qenë referencë në praktikën e zakonshme se kur arrihet një marrëveshje ndërkombëtarë, atëherë ky zotim që del nga ato marrëveshje duhet të përfshihet edhe në legjislacionin tuaj kombëtar. Unë nuk e kam thënë se kjo duhet të bëhet për atë, apo këtë. Por kam thënë se kjo është ajo çfarë palët që negociojnë në marrëveshjet ndërkombëtare e bëjnë zakonisht dhe janë të përgatitura për ta bërë. Deri kur do të arrihet kjo do ta dëshmojë dialogu”, deklaroi ai.

Në vizitën dy ditore, Lajçak ishte së bashku me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Mattheë Palmer. Për dallim nga ky i fundit, Lajçak nuk takoi partitë opozitare, por vetëm përfaqësuesit institucional./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA