Indi, 3.128 të vdekur në 24 orët e fundit nga COVID-19

01/06/2021 02:51

Në Indi në 24 orët e fundit nga infeksioni i koronavirusit të ri (COVID-19) kanë humbur jetën 3.128 persona.

Të dhënat e Ministrisë indiane të Shëndetësisë tregojnë se 152.734 raste të infeksionit me koronavirus janë regjistruar në 24 orët e fundit, shifra më e ulët në 50 ditët e fundit. Deri më tani, janë regjistruar gjithsej 28.047.534 raste të COVID-19 dhe 329.100 njerëz kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Ndonëse numri i të infektuarve po bie ndjeshëm, numri i vdekjeve në baza ditore nuk po bie me të njëjtën ritëm. Në Indi, më 4 prill u regjistruan më shumë se 100.000 të infektuar, më 15 prill më shumë 200.000, më 21 prill më shumë se 300.000, ndërsa më 30 prill më shumë se 400.000 në baza ditore.

Më pak se 150.000 të infektuar në një ditë u regjistruan për herë të fundit më 10 prill. Më shumë se 4.500 vdekje u regjistruan më 18 maj dhe pas kësaj filloi rënia. Sidoqoftë, ekspertët besojnë se numri i të infektuarve dhe të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë se të dhënat zyrtare. Momentalisht janë 2.026.092 raste aktive me COVID-19 në Indi.

Top Channel