Tre nëna të fëmijëve lypës burgosen nga gjykata në Dubai (fotot)

28/05/2021 21:54

Gjykata kriminale e Dubai ka dënuar dje tre gra arabe me gjashtë muaj burg që do të pasohet nga deportimi, si dhe i ka gjobitur me 5,000 dirham ($1500) për shfrytëzim të fëmijëve për lypje në rrugë.

Autoritetet nuk treguan vendin e origjines se grave.

Fëmija i një prej grave u urdhërua të dërgohet në një qendër kujdesi, pasi gruaja e kishte “shfrytëzuar për të kërkuar ndihmë financiare nga kalimtarët në rrugë” sipas gjykatës.

Të dyshuarat dhe fëmijët e tyre lypnin para në qendrën tregtare Naif në Dubai dhe ndalimi i tyre erdhi pas raportimeve të rojeve të sigurisë së ambjenteve.

Në aksionin e tyre policia kishte ndjekur fëmijën lypës dhe më pas kishin arrestuar gruan arabe që rezultoi të ishte nëna e tij.

Gruaja kishte ardhur në Emiratet e Bashkuara bashkë me dy gra të tjera dhe fëmijët e tyre, për t’i shfrytëzuar ata për lypje.

Gjatë marrjes në pyetje gratë pranuan krimin dhe dy prej tyre u dënuan me deportim të menjëhershëm në vendin e origjinës, ndërsa gruaja e tretë u dënua gjithashtu me burg.

Koloneli i policisë Ali Salem, shpjegoi se ka një plan të integruar për reduktimin e fenomenit dhe ritjes së patrullimit në vendet e frekuentuara nga lypësit.

“Lypja kërcënon sigurinë e mirëqenien e shoqërisë sonë, prandaj ne e marrim atë seriozisht pasi prish reputacionin e emirateve dhe rrit krimin e vjedhjet e vogla”, shtoi ai.

 

FOTO GALERI
1/3
Gjykata kriminale e Dubai ka dënuar dje tre gra arabe për shfrytëzim të fëmijëve për lypje

Top Channel