Policia franceze vret sulmuesin radikal pas plagosjes së dy oficerëve (fotot)

28/05/2021 15:53

Një sulmues radikal që qëlloi me thikë një oficere policie në Francë dhe më pas u largua me pistoletën e saj, është vrarë sot me armë nga policia.

Burri i identifikuar nga e përditshmja Le Figaro si 40-vjeçari Ndiaga Dieye, nisi sulmin e tij brenda stacionit të policisë së La Chappelle-sur-Erdre, pranë Nantes, duke goditur disa herë me thikë gruan, e cila është në rrezik për jetën.

Ai më pas u largua në këmbë dhe disa orë më vonë nisi një tjetër sulm ndaj oficerëve, duke qëlluar një në dorë e tjetrin në krah, para se të qëllohej per vdekje.

Dieye u arrestua në gjendje të rëndë por vdiq më vonë nga plagët e tij. Policia tha më vonë se ai ishte liruar nga burgu vetëm në mars, ku kishte kryer një program të veçantë “de-radikalizimi” pasi ishte konvertuar në një formë rigoroze të fesë islame në vitin 2016, sipas mediave vendase.

Ai njihej gjithashtu të vuante nga probleme psikiatrike dhe skizofreni që prej kohës së konvertimit.

Ngjarja vjen pas një serie të ngjashme sulmesh në Francë, duke përfshirë dhe vrasjen e një oficereje policie në stacionin e Rambouillet pranë Parisit muajin e kaluar.

Në sulmin e sotëm burri qëlloi disa herë gruan me thikë brenda stacionit të policisë dhe më pas vodhi pistoletën e saj e u largua nga vendngjarja.

240 oficerë u mobilizuan për kapjen e tij dhe në banesat e shkollat pranë vendngjarjes u ndalua dalja e njerëzve.

Një zëdhënës i policisë tha se ende nuk ka një vlerësim për motivet e sulmuesit.

Liderja franceze e të djathtës Marine Le Pen komentoi për sulmin: “Unë refuzoj të pranoj këtë si pjesë e jetës tonë të përditshme. Ne duhet t’i japim fund këtij barbarizmi dhe asnjëherë të pajtohemi me të”.

FOTO GALERI
3/6
Ai më vonë nisi një tjetër sulm ndaj oficerëve, duke qëlluar një në dorë e tjetrin në krah, para se të qëllohej per vdekje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA