“Mea Culpa” e fortë e Macron, njeh rolin e Francës në genocidin në Ruandë!

27/05/2021 20:33

Pas tre dekada tensionesh diplomatike, presidenti francez Emmaneul Macron vizitoi Ruandën në një ndalesë të ngarkuar me simbolizëm gjatë të cilës pranoi rolin e Francës në gjenocidin e vitit 1994 në këtë vend.

Shefi i Elizese bëri homazhe në Memorialin e Gjenocidit në Kigali, ku u vranë rreth 800.000 civilë tutsi.
Vrasësit që ndoqën njerëzit nëpër këneta, kodra e kisha nuk kishin fytyrën e Francës. Ajo nuk ishte një bashkëpunëtore. Gjaku që u derdh nuk çnderoi armët e saj apo duart e ushtarëve të saj, të cilët gjithashtu e panë me sytë e tyre të papërshkrueshmen. Por Franca ka një rol, e ka dhe një histori dhe një përgjegjësi politike në Ruandë. Duke qëndruar këtu, me përulësi dhe respekt, përkrah jush, unë i njoh përgjegjësitë tona”, u shpreh Macron.

Në fjalimin e tij, Macron u shpreh se vetëm ata që i mbijetuan tmerreve mund të dhurojnë faljen, por ndërkohë nuk përmendi një apologji zyrtare. Pavarësisht kësaj, presidenti i Ruandës, Paul Kagame, i përshëndeti fjalët e kreut të shtetit francez duke thënë se ato ishin të vërteta. Macron është udhëheqësi i parë francez që nga viti 2010 që viziton kombin e Afrikës Lindore, i cili e ka akuzuar prej kohësh Francën për bashkëpunim në vrasjet.

Genocidi në Ruandë nisi ndërmjet prillit dhe korrikut të vitit 1994 pasi presidenti i atëhershëm, Hutu Juvenal Habyarimana, me të cilin Parisi kishte lidhje të ngushta, u vra kur avioni i tij u rrëzua mbi Kigali në 6 Prill. Brenda disa orësh nga ajo ngjarje, milicia ekstremiste hutu filloi të vriste pjesëtarët e pakicës tutsi dhe disa hutis të moderuar. Franca e kishte mbështetur politisht dhe ushtarakisht Kigalin që gjatë luftës civile që i parapriu genocidit dhe është akuzuar se injoroi rrezikun që paraqesin ekstremistët Hutu.

Top Channel