Më parë ishin grerëzat vrasëse, pastaj “gjinkallat zombi”, ndërsa tani nga Australia vjen tmerri i minjve kanibalë, madje dhe ‘piro-maniakë’.
Miliona minj në përhapjen më të madhe në disa dekada në Australi kanë nisur të hanë njëri-tjetrin e madje duke shkaktuar zjarre në shtëpitë e njerëzve, thonë raportimet nga vendi.
“Kur ata nuk kanë më gjak, ose kur nuk kanë më fara për të ngrënë, ata nisin kanibalizimin, nisin të hanë njëri tjetrin,” tha Xavier Martin, kreu i shoqatës së fermerëve në New South Wales, për rrjetin ITV News.
“Janë kafshë të neveritshme,” tha ai teksa miliona brejtës të pakontrolluar shiheshin të merrnin gjithçka përpara, në videot tronditëse nga vendi.
Situata është më e rëndë në rajonin e New South Wales, por gjithashtu edhe në Victoria e Queensland, duke shkaktuar tmerr në shkolla, shtëpi e spitale, duke lënë një erë të neveritshme nga pas, raporton rrjeti Bloomberg.
Ekspertët thonë se brenda disa javëve ata mudn të arrijnë në Sydney, duke u ngjitur në kamionët e mallrave apo në arkat e ushqimit.
“Minjtë kanë pushtuar çdo gjë,” shton Martin. “Nëse del jashtë dhe qëndron palëvizur, ata të ngjiten në pantallona ose të hyjnë brenda tyre, janë kudo.”
“Na kanë pushtuar shtëpitë, plevicat, makinat e traktorët”.
“Na janë djegur makineritë prej minjve që futen brenda. Muajin e kaluar një shtëpi u dogj pak më në veri nga ne, me sa duket prej minjve.”
Një pronare shtëpie në New South W, nëna e tre fëmijëve Rebekah Ward, tha për rrjetin Australia “Today” se familja e saj humbi shtëpinë nga zjarri i shkaktuar prej minjve që kishin ngrënë telat e rrymës elektrike.
“Erdhi policia, zyrtarët thanë se minjtë po binin nga çatia gjatë zjarrit … kishte minj të ngordhur, minj të vdekur ngado”, tha gruaja.
Katastrofa e zjarrit duket se i kishte vënë kapakun të gjithë “makthit” që minjtë kishin shkaktuar prej kohesh për familjen e saj, tha Ward.
“Ata ngjiteshin në krevatet e fëmijëve natën. Tani i gjejmë në këpucë e në stola”.
Një 70-vjeçar pronar hoteli, Trevor Hardie, tha se ishte shtruar në spital duke luftuar për jetën pasi u infektua me leptospirosis, infeksioni bakterial që vjen nga urina e brejtësve.
Autoritetet e New South Wales ofruan subvencione për fermerët në luftën e tyre me minjtë, por tashmë masa e gjerë e problemit po shton thirrjet për përdorimin e helmit të fuqishëm bromadiolon, që aktualisht është i ndaluar në Australi.
Top Channel