Turistët vijnë se s’ka kufizime/ Shifra më të larta edhe se viti 2019, veçanërisht nga Kosova

26/05/2021 19:54

Turizmi po jep sinjale gjallërimi.

Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë prillit kanë hyrë në vend 241 mijë shtetas të huaj, rreth 230 mijë më shumë se kundrejt një viti më parë, kohë kur shtetet vendosën masat bllokuese dhe vendi ishte tërësisht në karantinë.

Edhe si raport 4-mujori bilanci paraqitet pozitiv, pasi deri në fund të prillit rreth 754.7 mijë turistë të huaj erdhën në Shqipëri, ndjeshëm më shumë se një vit më parë.

Vizitorët nga Kosova kanë dhënë edhe ndikimin më të madh, pasi gjatë muajve janar-prill hyrjet e shtetasve kosovarë arritën në 381.3 mijë, ndjeshëm më shumë se viti pandemik 2020, por edhe se viti i parakrizës 2019-ta.
Masat e lehtësuara dhe heqja e karantinës kanë bërë që vendi të shihet si një destinacion turistik i preferuar edhe për turistët e vendeve të tjera
të Europës.

“Vij nga Gjermania. Jam këtu prej 4 ditësh dhe do qëndroj në Shqipëri për rreth 2 javë. Nuk ma sugjeroi njëri të vija këtu, por erdha sepse ishte një ndër vendet drejt të cilit mund të udhëtoja pa karantinë. Është një vend shumë i bukur. Kam qëndruar në Tiranë dhe nesër do të udhëtoj për në Shkodër. Më pëlqejnë njerëzit, ushqimi, moti, gjithçka është perfekte.” Tursite nga Gjermania

“Jemi një grup me kombësi të ndryshme. Një nga gjermania, një nga gjermania që jeton në Austri, unë jam nga Çekia. Jemi një grup miqsh. Një shoku ynë me origjinë nga Shqipëria që jeton në Vjenë na sugjeroi dhe na tha të vinim në Shqipëri. Arritëm natën e kaluar, qëndruam në Tiranë dhe do të udhëtojmë më pas në Gjirokastër, në Ksamil dhe më pas do të kthehemi sërish në Tiranë për tu larguar në Gjermani e Austri të dielën tjetër. Atje nuk mund të dalësh apo të shkosh në restorante.” Grup turistësh të huaj

Veç numrit të turistëve të huaj, rritje kanë shënuar edhe daljet e shqiptarëve jashtë vendit pasi sipas Instat gjatë prillit kaluan kufijtë rreth 230.4 mijë shqiptarë, rreth 220 mijë më shumë se prilli i vitit të kaluar, kur masat bllokuese anti covid të aplikuara nga vendet ishin më të ashpra.

Top Channel