‘Shumë të vdekur’ përfshi dhe sulmuesin, nga mësymja me armë në impjantin e trenave në Kaliforni

26/05/2021 19:03

Një sulmues ka hapur zjarr pranë një treni pasagjerësh duke lënë disa të vdekur sot në Kaliforni, njoftoi policia në SHBA.

Vrasjet ndodhën në magazinen e stacionit te trenit të Santa Clara në qytetin e San Jose.

Mes viktimave përfshiheshin punonjës të hekurudhës dhe sipas raportimeve sulmuesi është gjithashtu mes të vdekurve.

Policia kishte rrethuar skenën e ngjarjes dhe njoftoi se rreziku ka kaluar.

“Në këtë pikë që po flasim kemi disa viktima dhe disa të plagosur,” tha zv. sherifi i Santa Clara, Russell Davis. Ai shtoi: “Nuk mund të konfirmoj ende numrin e saktë por ka disa njerëz të plagosur dhe disa njerëz të vrarë në këtë pikë”.

Kryebashkiaku i San Jose, Sam Liçardo komentoi se “disa njerëz po trajtoheshin në spital për plagët e armëve”, dhe se situata po vlerësohej ende.

“Sulmuesi nuk është më një kërcënim, ambjentet janë evakuar.”

Rrjeti CBS News në San Francisco, thoshte se të paktën gjashtë njerëz janë vrarë, por shifrat nuk janë konfirmuar nga policia.

Të shtënat, sipas raportimeve kishin nisur gjatë një mbledhjeje të stafit të hekurudhës.

Deri tani këtë vit në SHBA, ka pasur 230 sulme masive individuale me armë, sipas statistikave të  grupit Gun Violence Archive.

Sulmet masive përkufizohen ato ku katër ose më shumë njerëz janë vrarë me armë.

Autoriteti i transportit hekurudhor të Santa Clara Valley ka tre linja me rreth 65km hekurudhë, si dhe operon rreth 70 linja autobuzësh në qytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA