Presidenti bjellorus quan zemërimin për incidentin e avionit ‘provokim i planifikuar’

26/05/2021 19:41

Alexander Lukashenko ka bërë sot komentet e para publike pas uljes së një avioni të linjave britanike javën që shkoi, duke akuzuar qeveritë perëndimore për nisjen e një “lufte moderne hibride” kundër Minskut, ndërsa fushatën mediatike të zemërimit në lidhje me incidentin e quajti “provokim i planifikuar”.

Duke folur në një sesion të parlamentit, Lukashenko dukej se sugjeronte se avioni mund të ishte rrëzuar me armë pasi po fluturonte mbi një impjant energjitik bërthamor, kur u detyrua të ndryshonte kurs nga qeveria bjelloruse, e cila tha se mjeti kërcënohej nga një bombë dhe ngriti një gjujatës Mig-29 për t’u siguruar që avioni të ulej.

Vendet evropiane nisën sot të bllokonin fluturimet nga Minsku, pas vendimit të Komisionit Evropian për kufizime ndaj linjës shtetërore bjelloruse Belavia. Një fluturim i sotëm i linjave Belavia drejt Barcelonës u kthye mbrapsht në kufirin e Polonisë, dhe u soll rrotull disa herë para se të kthehej në Minsk.

“Do të fluturojmë vetëm mbi territore neutrale, Detin Mesdhe. Por nuk do të gjunjëzohemi dhe nuk do të përpiqemi të justifikohemi pasi nuk ka asnjë arsye,” tha Lukashenko mes të tjerash.

Lukashenko mbronte arrestimin e gazetarit bjellorus Raman Pratasevich dhe të dashurës së tij, Sofia Sapega, megjithë kërcënimet për atë që Perëndimi quante “pirateri ajrore” apo “akt terrorizmi shtetëror”.

Disa pamje të pranimit të fajit nga Pratasevich dhe e dashura e tij të publikuara nga mediat bjelloruse, raportohej nga familjarët e tyre se ishin bërë në presion e kërcënime.

Gazetari në fjalë dhe e dashura e tij duket se kanë lidhje me rrjete sociale aktive në luftën kundër brutalitetit të policisë vendase, në lidhje me protestat e vitit të kaluar.

Ndërsa e dashura e tij ruse Sapega, nuk është shquar për rol në protesta por nëna e saj tha se e bija “thjesht është shfaqur në vendin e gabuar, në kohën e gabuar”.

Komentet e sotme të Lukashenko ishin të parat që prej incidentit. “Nëse kishte apo jo një bombë, unë u informova se në avion kishte një terrorist dhe dhashë urdhrin për ta ulur”, tha  Lukashenko.

Ai shtoi se kërcënimi për bombë kishte ardhur nga dikush në Zvicër, duke refuzuar pretendime të mëparshme si informacion i ardhur nga Hamas.

Për Perëndimin, Lukashenko tha se po e përdor vendin e tij si një “poligon testimi” për nisjen e konfliktit të tyre me Rusinë.

“Ata janë zhvendosur nga organizimi i revoltave, te tentativat për të na mbytur, po kërkojnë për pika të reja të dobëta”.

FOTO GALERI
2/3
Ai akuzoi qeveritë perëndimore për nisjen e një “lufte moderne hibride” kundër Minskut ndërsa fushatën mediatike të zemërimit në lidhje me incidentin e quajti “provokim i planifikuar”.

Top Channel