Gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Nicolas Guillou, ka miratuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të caktuar Gregory W.Kehoe, si avokat të ri mbrojtës.
Me kërkesë të Thaçit, Kehoe do të zëvendësojë ish-mbrojtësin e tij kryesor, David Hooper.
Kehoe ka qenë avokat i gjeneralit kroat, Ante Gotovina, para Tribunalit të Hagës, i cili ka qenë i akuzuar për krime kundër serbëve gjatë operacionit ushtarak-policor kroat “Stuhia” më 1995.
Kiho ka më shumë se 30 vjet përvojë pune. Ai ka punuar për Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së si prokuror për mbi 20 vjet. Kehoe gjithashtu drejtoi ekipin e avokatëve dhe hetuesve që këshilluan Tribunalin Special të Irakut, një gjykatë e përkohshme, e formuar për të ndjekur penalisht ish-liderin irakian, Saddam Hussein dhe bashkëpunëtorët e regjimit të tij.
Në vendimin e gjykatësit Guillou, avokati Hooper u urdhërua që t’i sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme avokatit të ri, si dhe të vazhdojë të respektojë kodin e sjelljes profesionale, pas përfundimit të funksionit si avokat kryesor i ekipit mbrojtës të Thaçit.
Thaçi përfaqësohet nga katër ndihmës avokatë të tjerë – Dastid Pallaska, Samuel Blom-Cooper, Pierre-Richard Prosper dhe Sophie Menegon.
Më 20 maj, ish-presidenti Thaçi e kishte parashtruar kërkesën për ndryshim në ekipin e tij mbrojtës.
Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999.
Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./REL/
Top Channel