Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën një viktimë me koronavirus.
Viktima është nga Prizreni, 67 vjeç.
Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 11 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3,291 mostrave.
IKSHPK-ja ka njoftuar se më 25 maj janë shëruar 258 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 3,303.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,725 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,241 kanë vdekur.
Në Kosovë është në zhvillim e sipër faza e dytë e vaksinimit, ku bëjnë pjesë personat e moshës 65-79 vjeç.
Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.
Në fazën e tretë, ndërkaq është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.
Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.
Ky vend nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike.
Top Channel