Ashtu siç pritej, për përjashtimin e tij nga lista e kombëtares, reagoi vetë kapiteni i përfaqësueses së Spanjës, Sergio Ramos.

Në profilin e tij në rrjetet sociale, kapiteni i Realit e pranoi se një sezon si ky kaq i mbrapshtë me dëmtimet, për më tepër në një vit të tillë kaq të rëndësishëm, për shkak të evropianit nuk i kishte ndodhur kurrë më parë, megjithëse për hir të së vërtetës mbrojtësi andaluzian shpjegoi që, pavarësisht rrethanave, ai është përpjekur shumë dhe ka punuar së tepërmi me të gjitha forcat për t’u kthyer në 100% të formës si me Realin ashtu edhe me përfaqësuesen.

35-vjeçari andaluzian qartësoi se i dhemb në shpirt fakti që nuk do të mund të jetë në fushë për të kontribuar për vendin e tij, por ka disa gjëra që nuk mund të ndryshohen dot. Sergio Ramos shpreson në një Evropian të madh të Spanjës këtë herë dhe futbollisti me më shumë ndeshje me “Furinë e Kuqe” e mbylli postimin e tij duke iu uruar sukses dhe shumë fat shokëve të tij.

Kjo është hera e 10-të në 11 edicionet e fundit që Spanja luan në fazën finale të një evropiani e përjashtim bën vetëm kampionati që u zhvillua në Suedi, afërsisht dy dekada më parë dhe “La Roja” e ka fituar këtë kompeticion 3 herë në vitet 1964, 2008 e 2012, pra po aq herë sa edhe Gjermania, madje ky vend që bën pjesë bashkë me Suedinë, Poloninë dhe Sllovakinë në Grupin E.

Spanja do të ketë gjithashtu edhe privilegjin për t’i zhvilluar ndeshjet pikërisht në shtëpi, në Krahinën Autonome të Andaluzisë, më saktë në stadiumin “La Cartuja” të Seviljes, me një kapacitet prej 60.000 spektatorësh, impiant ku numri i të pranishmëve këtë radhë do të kufizohet në thjesht 30%, pra afërsisht rreth 18.000 vetë, për shkak të normave anti-covid, që janë përcaktuar që më herët për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA