Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Olsi Sefollin, drejtuesin e fugonit që u kap me 123 mijë paund në portin e Durrësit.

Gjyqtari Paulin Çera pasi ka dëgjuar palët vendosi të lërë në burg pa afat 21 vjeçcrin që u arrestua pasi në furgonin që drejtonte u gjetën të fshehura 12 pako me paund e stërlina. Furgoni vinte nga Anglia dhe bënte transport mallrash.

Sefolli ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, po organi i akuzës kërkoi lënien e tij në masën e sigurisë arrest në burg pa afat, ndërsa hetimet vijojnë.

Ai kryente transport mallrash me fugon nga Anglia drejt Shqipërisë dhe anasjellas. Fugoni u kap para dy ditësh në portin e Durrësit ndërsa policia kishte pasur më herët informacione për dërgesën.

Për këtë arsye, autoritetet doganore e kaluan furgonin në zonën e rrezikut, ku iu nënshtrua një kontrolli më të imtësishëm në skaner. Pikërisht aty u dalluan edhe pakot e fshehura me paund dhe stërlina. Gjatë kontrollit, në pjesën e prapakolpit të furgonit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 12 pako me para brenda të cilave kishte 123.460 paund dhe 280 stërlina.

Fugoni me targa angleze, sipas informacioneve të Top Channel, e bënte shpesh këtë rrugë dhe shpërndante mallra dhe porosi nga Anglia, në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Shoferi furgonit, 21 vjeçari Olsi Sefolli u arrestua në flagrancë nga policia megjithatë mësohet që ai të ketë mohuar faktin që ka lidhje me shumën e parave dhe se detyra e tij ishte vetëm të bënte transportin e mallrave.

Ndërkaq, mbi Sefollin do të rëndojnë tre akuza: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe  “Kontrabanda me mallra të tjerë”.

Top Channel