Berat/ Plagosën 33-vjeçarin me armë zjarri, arrestohen 2 autorët e dyshuar. Shpallen në kërkim katër bashkëpunëtorët

22/05/2021 09:00
Foto ilustruese

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë për plagosjen me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e kaluar në fshatin Poshnje në Berat.

Ata janë, shtetasit A.Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Kurjan, Rroskovec dhe A.F., 32 vjeç., banues në fshatin Otllak, Berat.

Ndërsa katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim pasi dyshohet të jenë bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, të identifikuar me inicialet: F.Sh., 30 vjeç, I.N., 48 vjeç, M.H., 33 vjeç dhe N.T., 32 vjeç.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor për zbulimin dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi I.I., 33 vjeç, bazuar në veprimet hetimore për të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe në provat e grumbulluara, u bë e mundur  identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje”, njofton policia.

Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

Top Channel