Agron Shehaj sfidon Bashën/ Deputeti i PD do kandidojë për postin e kryetarit të partisë

22/05/2021 15:09

Në garën përballë Bashës për zgjedhjen e 13 qershorit në PD ka dalë edhe një nga deputetët aleatë të tij.

Ai është Agron Shehaj që në zgjedhjet e fundit, doli ndër emrat më të votuar mes demokratëve në votimin preferencial. Agron Shehu motivet e kandidimit i ka rreshtuar përmes një statusi në Facebook ku ai thotë se se partisë demokratike i duhet një drejtim i ri.

“Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë. Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri. Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.”

Shehaj tregon se nuk është dakord me mënyrën se si po sillet Basha me menaxhimin e situatës dhe partisë pas humbjes së zgjedhjeve. Ai e cilëson situatën aktuale si një apati e ankimit për padrejtësitë

“Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime. Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej.”

Top Channel