Nga sot, të apasionuarve pas librit u vjen në ndihmë një website i ri i dedikuar për bibliotekat e Tiranës: bibliotekat.tirana.al.
I pranishëm në prezantimin e këtij website, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se bibliotekat dhe librat janë edhe hapësira civile të cilat meritojnë një vëmendje edhe më të madhe.
“Ka qenë një javë shumë intensive, edhe me udhëtime, edhe me çudira, edhe kam anuluar shumë aktivitete që i kisha në kalendar. Po kur pashë që kishim një aktivitet në bibliotekë dhe për librat dhe për shkrimtarët, thashë këtu do shkoj patjetër. U japim vëmendje në disproporcion atyre që bëjnë skandalin e ditës, asaj tallavasë, asaj që unë e quaj ndonjëherë antikulturë dhe antivlerë, thjesht sepse bërtet më shumë. Unë besoj që në fakt, që jo vetëm tek zanati im, te puna ime në politike apo në bashki, por kudo ka një shumicë të heshtur, që ndoshta nuk bën zhurmë, por që përfaqëson le të themi konsensusin moral të shoqërisë. Edhe unë besoj që bibliotekat, libri, hapësira të tilla civile dhe civike, qytetare, përfaqësojnë shumicën e shoqërisë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se hapja e bibliotekave të reja dhe përdorimi i tyre dhe për aktivitete të tjera shoqërore do të kthehet në një trend në kryeqytet. “Dua shumë ta kthejmë në një trend. Ne vitin tjetër do të kemi Kryeqytetin Europian të Rinisë, edhe besoj fort që do të kemi një shans historik, për ta kthyer Tiranën, por edhe rininë e Tiranës në një kartolinë, në një kartëvizitë se çfarë jemi ne në realitet. Sepse ndonjëherë edhe jashtë kjo minorancë e zhurmshme bën më shumë lajm, sesa në fakt shumica e heshtur e njerëzve që bëjnë gjëra shumë të dobishme dhe shumë të dëlira”, tha ai.
Veliaj dha lajmin e mirë dhe për të gjithë shkrimtarët e rinj. Bashkia e Tiranës do të krijojë një program të posaçëm për botuesit e rinj duke ofruar mbështetje financiare. “Për të gjithë ata që janë shkrimtarë të rinj, dua që të mendojnë pak si mund të hapim një program financimi për të botuar librin e parë ose librat e parë.
Është gjithmonë ai hendeku sa bëhesh dikush, sa del në treg, sa printohet një kopertinë me emrin tënd, pastaj ecën vet ai që është i talentuar. Ndoshta riskun e parë mund ta marrim ne si Bashki dhe nëse do kishim një mini-fond siç bëjmë për Start-Up, siç bëjmë për ata që duan të fillojnë një biznes, siç bëjmë për ata që duan të hapin një shoqatë, fare mirë mund ta bëjmë për botuesit e rinj”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se ndryshe nga vite më parë kur prona publike ishin të zaptuara apo të pashfrytëzueshme, sot ato kanë marrë të gjithë vëmendjen e duhur. Veliaj siguroi se në Tiranë do të vijojë hapja e bibliotekave të reja dhe i hapësirave të reja që do të shërbejnë si qendra rinore.
“Kur jemi transferuar në Bashki, disa hapësira ishin kthyer në magazina. Dhe ti thua në një qytet ku ka vajtur metri katror 2 mijë euro e kemi ne luksin që ti të kesh të gjitha këto hapësira të cilat thjesht rrinë. Pra a ka ardhur koha që edhe ne si administrator të interesit publik t’ia dimë vlerën metrit katror në Tiranë siç ia di privati. Është një marrëveshje ku marrim nga ndërtuesit në metra katror konvertimin e atyre metrave që binte trotuari i Bashkisë ose një pronë publike. Dhe ajo që duam të bëjmë sidomos gjatë 2022-shit është që shumë prej këtyre hapësirave t’i kthejmë në qendra rinore. Mund të ketë një dimension multifunksionale dhe të sigurohemi që realisht çdo metër katror i një hapësire publike të lexohet dhe të shfrytëzohet”, nënvizoi Veliaj.
Në këto 6 vite, Bashkia e Tiranës ka hapur 9 biblioteka në lagje të ndryshme të kryeqytetit, të cilat shërbejnë edhe si qendra multifunksionale.
Top Channel