Lagjja e re në Bubq që po ngrihet nga themelet do të jetë gati në fund të qershorit për familjet që natën tragjike të 26 nëntorit humbën shtëpitë e tyre.

120 familje do të marrin në dorëzim shtëpitë e reja në këtë lagje, e cila bashkë me Thumanën dhe Fushë-Krujën do të jenë lagjet model të rindërtimit. Kryeministri Edi Rama, me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushi ishin në kantierin e lagjes së re për të parë nga afër ecurinë e punimeve.

Lagjja e re është kombinim i banesave kolektive dhe atyre individuale dhe njësi shërbimi. Krahas pallateve, së shpejti do të jenë gati edhe 75 banesa individuale për familjet që pas tërmetit do të rinisin jetën në shtëpi më të mira, më të mëdha e më të bukura.

“Janë 7 pallate në lagjen e re, 3 nga të cilat janë në fazë të avancuar. Gjithashtu janë dhe dy ura të reja. Gjithë infrastruktura është bërë rishtazi e re. Janë 45 apartamente në 7 pallate. Ndërsa në krahun e djathtë kemi 75 njësi individuale. Pallatet, veshjen e jashtme e kanë në bazë të standardeve të fundit, si dhe kanë ashensor. Shumica e apartamenteve janë 2+1, ndërsa pjesa tjetër 3+1 dhe 1+1. Banesat individuale janë me sistem kapot për eficensë energjie. Për banesat individuale kemi rreth 40-50 ditë punë, ndërsa pallatet dorëzohen në 25 qershor. Cilësia e punimeve është super”, – u shpreh ministri Ahmetaj.

Puna për infrastrukturën do të vijojë me ambiente e përbashkëta dhe gjelbërimin, ndërsa punimet për shkollën e re vijon me rifiniturat dhe instalimet. Lagjet e reja në Thumanë, Fushë-Kruja dhe Bubq, sipas ministrit Ahmetaj, do të jenë modele urbane, kombinim i arkitekturës dhe hapësirave publike.

 

 

 

Top Channel