Statistikat e INSTAT/ Në vitin 2020 u rrit numri i viktimave. Ky është qarku me numrin më të madh të humbjes së jetëve

20/05/2021 20:29

Shqipëria në vitin 2020 njohu një rritje me 25.8% vdekje më shumë krahasuar me 2019-tën. Vitin e shkuar, humbën jetën 15.504 meshkuj dhe 12.101 femra.

Por cilat janë shkaqet kryesore që vdesin shqiptarët?!

Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT, tregojnë se janë katër shkaqe kryesore të cilat shkaktojnë edhe vdekjet më të mëdha. 2020 regjistroi 14.422 vdekje për shkak të sëmundjeve të zemrës, sëmundjet e papërcaktuara ose që cilësohen ndryshe vdekja nga pleqëria dhe që prek moshat kryesisht mbi 70 vjeç, morën 4699 jetë; tumoret regjistruan 3599 vdekje e ndërsa sëmundjet e mushkërive 2454.

Nga 27605 vdekje në total për vitin e shkuar, 25164, janë shkaktuar nga katër sëmundjet e mësipërme. Ndërkaq, aksidentet, vrasjet dhe vetëvrasjet zënë një total prej 2.7% të vdekjeve të përgjithshme.

Bëhet e ditur në raport se qarku me numrin më të lartë të vdekjeve për vitin 2020 është qarku i Gjirokastrës, ndërsa Tirana është qyteti me numrin më të ulët.

“Sipas qarqeve, koeficienti bruto më i lartë i vdekjeve vihet re në qarkun e Gjirokastrës me 1556,9 për 100 mijë banorë, ndërsa më i ulëti në qarkun e Tiranës me 784,1 vdekje. Referuar grupsëmundjes “Tumore” shihet e njëjta strukturë, përkatësisht në qarkun e Gjirokastrës me 247,0 vdekje, ndërsa në qarkun e Tiranës me 99,0 vdekje për 100 mijë banorë të qarqeve përkatëse.

Qarku i Shkodrës shënon vlerën më të lartë të koeficientit bruto të vdekshmërisë për grupsëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” me 682,8, ndërsa qarku i Tiranës shënon vlerën më të ulët me 441,2 për 100 mijë banorë”, raporton INSTAT.

Kujtojmë se vitin e shkuar humbën jetën nga covid, 1181 persona. Sipas të dhënave, numri i vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet e mushkërive vitin e shkuar është 4.5 herë më i lartë se viti 2019, e gjitha kjo e shkaktuar si pasojë e koronavirusit.

 

FOTO GALERI
1/6

Top Channel