Ndëshkimi i fortë amerikan me shpalljen non grata Sali Berishës bashkë me familjen, u kthye në teme diskutimi në seancën plenare në parlament.
Taulant Balla numri një i grupit parlamentar socialist, një ndër kritikët dhe akuzuesit e fortë të Sali Berishës, preferoi të priste seancën e parë të parlamentit të ri në Shtator, për duelin e radhës me ish kryeministrin, e padëshiruar nga amerikanët.
Balla:Le ta lëmë aq të bukur siç është vendimi sekretarit dhe mos të hymë në asnjë lloj komenti dhe asnjë lloj nuance të atij vendimi sepse është aq i bukur sa është ai vendim dhe aq i rëndësishëm siç është ai vendim. Secili ta lexojë ashtu siç është vendimi.
Por ministria për marrëdhëniet nga parlamenti Elisa Spiropali, e komentoi vendimin e Sekretarit amerikan të shtetit si një dënim kapital për Berishën, nga aleati ynë më i madh strategjik dhe këmbanë alarmi për të tjerët.
Spiropali: Reagimi i Lulzim Bashës që s’po di nga t’ja mbajë dhe Partisë Demokratike që s’po gjen derman, ishte për të qeshur e për qarë. Ata që nuk kanë lënë kundërshtar pa shpallur kriminel e trafikant pa asnjë provë dhe pa asnjë vendim, sot duan prova nga departamenti i shtetit për vendimin e shpallur botërisht. Vetë reagimi i Luli Gjumit që duket si i shkruar me bojën e Sali Berishës dhe dorën e Lulit, është prova se Sala dhe Luli janë dy krijesa simbiotike që vështirë se gjallojnë pa njëri-tjetrin jashtë pengmarrjes reciproke.
Deputetet e opozitës preferuan t’i qëndrojnë larg kësaj teme, por deputeti Ralf Gjoni e quajti të vonuar vendim amerikan. Sipas tij duhet të ishte ndërmarrë që në vitin 1997.
Ralfi: Me shpalljen ‘Non grata’ amerikanët po e mbajnë Berishën larg tyre por ama na e kanë lënë neve këtu brenda. Ndaj sot pyetja është ç’do bëjmë ne? Amerika me urgjencë duhet t’i çojnë provat që kanë në SPAK.
Top Channel