Mbi 11 vite burg për tentativë vrasjeje, grabitje e armëmbajtje pa leje, arrestohet 56-vjeçari, do të ekstradohet drejt Italisë

20/05/2021 14:42
Foto ilustruese

Një shtetas shqiptar, i dënuar nga Gjykata e Pistojës, për një sërë veprash penale, është arrestuar sot në Tiranë.

Selman Balla do të vuajë 11 vite e 10 muaj e 25 ditë burgim, për vrasje të mbetur në tentativë, grabitje dhe armëmbajtje pa leje. 56-vjeçari do të ekstradohet drejt vendit fqinj, pas kryerjes së procedurave nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni policor i koduar “Linza”, i zhvilluar nga DVP Tiranë, në bashkëpunim me Fast Albania dhe Interpol Tirana.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Fast Albania, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, finalizuan me sukses operacionin policor “Linza”, në kuadër të të cilit, në Linzë, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i shtetasit Selman Balla, 56 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Pistojës/ Itali e ka dënuar me 11 vite e 10 muaj e 25 ditë burgim, për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, ”Grabitja” dhe ”Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka hyrë në banesën e një shtetasi italian dhe nën kërcënimin e një arme dhe një thike ka vjedhur në këtë banesë një shumë të madhe parash dhe sendesh me vlerë dhe më pas janë larguar me një veturë të vjedhur.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Top Channel