Vetëdorëzimi i Skerdian Gabranit, Policia e Vlorës del me njoftim zyrtar

19/05/2021 16:51
Skerdian Gabrani, pasi ka dale nga makina dhe i drejtohet Komisariatit

Policia e Vlorës ka dalë me njoftim zyrtar pas vetëdorëzimit të Skerdian Gabranit, si autor i dyshuar i vrasjes së 31-vjeçarit, Tauland Gjikaj, ndodhur në 3 mars 2021, në rrugën Transballkanike.

Autoritetet njoftojnë se vetëdorëzimi i tij është rezultat i negociatave të vazhdueshme me Skerdian Gabranin, i dyshuar si bashkëpunëtor i Hansi (Andi) Jonuzajn, 44 vjeç, arrestuar më parë nga Policia, si autorë i dyshuar në këtë ngjarje.

Njoftimi i plotë:

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në 03.03.2021, në lagjen “Bashkimi” Vlorë , ku u vra me armë zjarri shtetasi T. GJ., ju informojmë se:

Si rezultat i negociatave është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë shtetasi i shpallur në kërkim S. G.,  36 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor i shtetasit H. J., i arrestuar më parë nga Policia, si autorë i dyshuar në këtë ngjarje.

Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Vlorë, për veprime te mëtejshme hetimore.

Arrestimi i Hansi Jonuzajt (4 Mars 2021)

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, policia shoqëroi Hansi (Andi) Jonuzajn, 44 vjeç, banues në Vlorë, i cili me automjetin tip “Ford”, tentoi të largohej bashkë me një armë zjarri tip kallashnikovi.

Pas arrestimit ai nuk pranoi krimin duke thënë që s’kishte lidhje me ngjarjen, por pamjet filmike, gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes si dhe kapja e tij në po të njëjtin mjet që ka ndodhur vrasja, kanë qenë prova të pakundërshtueshme për policinë, e cila ka bërë arrestimin e tij.

Tashmë në kërkim është edhe Elton Hajnaj, i cili dyshohet se në bashkëpunim me Skerdian Gabranin, kanë ekzekutuar Tauland Gjikajn, djali i një ish-punonjësi policie me precedent të mëparshëm penal.

Top Channel