Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të futur Sali Berishën dhe familjen e tij në listën e zezë, ka shkaktuar bujë në mediat ndërkombëtare.

“Reuters”, në një shkrim të sajin citon deklaratën e bërë nga Sekretari i Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, i cili publikisht shpalli si person ‘non grata’ në SHBA ish presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha bashkë më familjen e tij.

“Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken ndaloi të mërkurën ish-presidentin dhe kryeministrin shqiptar Sali Berisha së bashku me familjen e tij të hynin në Shtetet e Bashkuara për shkak të “akteve korruptive” dhe abuzimit të pushtetit. Blinken tha në një deklaratë se Berisha, si Kryeministër në veçanti, ishte përfshirë në “akte korruptive të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij “. Blinken tha në Twitter se Berisha kishte minuar demokracinë në Shqipëri.”, shkruhet në artikullin e ‘Reuters’.

Reuters ka tentuar ti marrë një reagim ish-kryeministrit Berisha, por thekson në artikull se: “Nuk u dha asnjë përgjigje e menjëhershme nga zyra e Berishës kur u kontaktua nga Reuters”, duke shtuar më tej në artikull se: “Berisha nuk përballet me ndonjë procedim penal në Shqipëri”.

Bashkë me Sali Berishën, thotë DASH, u ndalohet hyrja në SHBA edhe Liri Berishës, Shkelzen Berishës dhe Argita Berisha Malltezit.

Ky vendim i SHBA vërteton akuzat ndër vite se zoti Berisha përmes të birit dhe vajzës duke përdorur pozicionin e tij si kryeministër i favorizoi ata realizimin e pasurive të pajustifikuara ndërsa akuza tjetër e rëndë është se ka ndikuar që të mos hetohen këto akte korruptive.

Deklarata e plotë e Blinken:

Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës.

Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.

Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.

Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht.

Top Channel