Rama: Nëse mësuesit sot zgjidhen në bazë të meritës, drejtorët dhe nëndrejtorët jo!

19/05/2021 18:17

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar një takim me mësuesit dhe mësueset që dhanë kontributin e tyre në “RTSH shkollë”, kanal ky që ju dedikua nxënësve dhe mundësoi përballimin e një procesi mësimor gjatë periudhës së pandemisë.

Kryeministri ka bërë një krahasim të mësuesve dhe drejtorëve të institucioneve arsimore shqiptare me ato europiane, duke u shprehur se niveli i mësuesve është i njëjtë me mësuesit e vendeve të Rajonit dhe të Evropës, por nuk u shpreh njësoj për drejtorët!

“Nëse ne krahasojmë me të njëjtën masë drejtuesit e shkollave tona me drejtuesit e shkollave europiane atëherë nuk jemi në të njëjtin nivel, në këtë drejtim kemi filluar një përpjekje, që është shkolla e drejtorëve. Na duhet që të njëjtën gjë që bëjmë me mësuesit të bëjmë edhe me drejtorët”, u shpreh Kryeministri Rama duke shtuar se mësuesit në ditët e sotme zgjidhen në bazë të meritës teksa drejtorët dhe nëndrejtorët jo!

Rama: Ngado të rrotullohemi kemi nevojë ta çojmë në tjetër nivel menaxhimin e shkollave. Po të krahasojmë nivelin e mësuesve mesatar me nivelin mesatar të drejtorëve të shkollave proporcioni është shumë i zhdrejtë. Kemi mësues dhe mësuese që pa asnjë gajle mund ti vendosim në të njëjtin nivel me mësues në vendet e Rajonit dhe Evropës dhe kujt thotë jo unë i them të shikojë progresin e nxënësve shqiptarë. Nëse kjo nuk mjafton të shikojë se nxënësit e mirë që dalin nga duart tuaja dhe shkojnë jashtë shtetit nuk janë aspak më pak të armatosur me dije sesa bashkëmoshatarët e tyre. Nxënësit që dalin nga gjimnazet tona qëndrojnë në kategoritë më larta të vlerësimit, janë nxënësit tuaj.

Nëse ne krahasojmë me të njëjtën masë drejtuesit e shkollave tona me drejtuesit e shkollave europiane atëherë nuk jemi në të njëjtin nivel, në këtë drejtim kemi filluar një përpjekje, që është shkolla e drejtorëve. Na duhet që të njëjtën gjë që bëjmë me mësuesit të bëjmë edhe me drejtorët. Nëse mësuesit sot zgjidhen në bazë të meritës, drejtorët jo! Nëndrejtorët jo e jo, se i njihni vetë. Është përgjegjësi e Ministres që paralelisht me procesin e edukimit në vazhdim të drejtorëve përmes shkollave të drejtorëve të bëjnë detyrën e tyre që të mos lejojnë që drejtorët e shkollave të jenë nomenklaturë e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive. Portali ishe një rrufe mbi kokën e të gjithëve, tradita dihej, kush merr pushtetin ndahen edhe vendet e punës për mësuesit. Debati ishte me disa deputetë që ishin më të zëshëm që kjo na zhvesh ne nga autoriteti dhe përgjigjja ime ishte ata mësues që juve i fusni nëpër shkolla për arsyet tuaja do t’ja jepnit fëmijëve tuaj? Kurrën e kurrës! Atëherë kjo nuk diskutohet, kështu ne kemi shpëtuar arsimin nga mësuesit që vijnë pa lidhje.

Top Channel