Masakrimi i çiftit Pasho/ Dyshohet se e dashura i vrau prindërit, 33-vjeçari Taulant Pasho ekstradohet nga Zvicra në Itali

19/05/2021 17:22
Taulant Pasho

Taulant Pasho, 33 vjeçari, i cili dyshohet se ka gisht në vdekjen e prindërve të tij Shpëtim dhe Teuta Pasho u ekstradua nga Zvicra në Itali.

Eshtrat e prindërve të tij, të cilët u zhdukën në vitin 2015, u gjetën në dhjetor 2020 në disa valixhe të braktisura pranë burgut Sollicciano në Firence.

Por arsyet e kërkesës për ekstradim nga prokurori i Firences nuk kanë të bëjnë me hetimin për vrasjen e dyfishtë, por për një dënim me 3 vjet e katër muaj burg pasi u kap me 6 kg hashash në një garazh në Firence, shkruajnë mediat italiane. Për këto fakte Taulant Pasho u arrestua në flagrancë në 11 qershor 2016 ndërsa dënimi përfundimtar u dha më 19 dhjetor 2019.

Pasho, i cili tani është duke vuajtur dënimin e tij në burgun e Comos, u arrestua në Zvicër në tetorin e vitit të kaluar për arsye të tjera, vjedhje dhe shkelje. Së bashku me të, në hetimet për vdekjen e bashkëshortëve të Pasho-s, përfshihet edhe ish e dashura e tij, Elona Kalesha, e cila ndodhet në burgun fiorentin të Sollicciano. Nën hetim për ngjarjen është edhe vëllai i saj i vogël Denis Kalesha.

Kthimi i 33-vjeçarit Taulant Pasho në Itali mund të sjellë një pikë kthese në hetime teksa vijojnë kërkimet për prova dhe ADN që lidhen me vdekjen e çiftit Pasho.

Çifti Teuta dhe Shpëtim Pasho u gjetën të copëtuar në Itali në 4 valixhe, pesë vite pas zhdukjes së tyre, pranë burgut në Solliciano.

Që prej nëntorit të viti 2015, që përkon edhe me kohën kur doli nga burgu djali i tyre, nga ata nuk u mor vesh asnjë lajm dhe vajza e tyre ishte në kërkim prej vitesh.

Top Channel