Kapja e 400 kg kokainë/ DEA: Përpjekje e përbashkët e agjencive shumëkombëshe që synonin krimin e organizuar

19/05/2021 12:01

Agjencia Federale Amerikane e Anti-Drogës (DEA) ka konfirmuar se kapja e 400 kilogramëve kokainë në Lipjan të Kosovës ishte rezultat i një veprimi të përbashkët me disa polici dhe shërbime rajonale.

Sipas medias kosovare, DEA tha se shërbimet e “Guardia di Financa” nga Italia, Policia e Shtetit Shqiptar, SPAK, Policia e Kosovës dhe DEA (zyrat në Romë dhe Athine) ishin të përfshira në aksionin policor.

“Hetimi ishte një përpjekje e përbashkët e shumë agjencive shumëkombëshe që synonte krimin e organizuar transnacional. Shërbimet e “Guardia di Financa” nga Italia, Policia e Shtetit Shqiptar, SPAK nga Shqipëria, Policia e Kosovës dhe DEA (zyrat në Romë dhe Athine) ishin të përfshirë”, tha një zëdhënës i DEA-s.

Kokaina u kap dy ditë më parë në Lipjan, në një kamion transportues nga Brazili nëpërmjet portit të Durrësit në Shqipëri.

Shtatë kosovarët që u arrestuan në aksionin e Policisë së Kosovës, ku u sekuestruan 400 kilogramë kokainë, pritet që të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa prokuroria ka kërkuar paraburgim për ta.

Top Channel