Emri/ Kush është 21-vjeçari që drejtonte fugonin me 123 mijë paund, policia “rreshton” paratë mbi tavolinë dhe jep detajet

19/05/2021 20:53

Shuma e parave të sekuestruara nga fugoni që erdhi nga Anglia është 123.460 paund dhe 280 stërlina.

Kjo sasi e konsiderueshme u kap pasditen e sotme në portin e Durrësit dhe policia bën me dije se ka rënë në pranga drejtuesi i automjetit, i identifikuar si Olsi Sefolli, 21 vjeç, banues në Hamallë.

Gjatë kontrollit, në pjesën e prapakolpit të furgonit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 pako me para.

21-vjeçari do të akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,  “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të implikuar në këtë vepër penale.

Fugoni tip Mercedes Benz me targa angleze ku u gjet sasia e Paundëve bën shërbimin postar mes emigrantëve shqiptarë dhe familjeve të tyre në Angli. Deri tani, i ndaluari nuk ka pranuar të ishte në dijeni për sasinë e gjetur të parave.

Deklarimet e qeverisë angleze për Shqipërinë

Një javë më parë qeveria angleze e konsideroi Shqipërinë si një vend me mundësi të shumta për pastrimin e parave që vijnë nga bota e krimit.

Në të shkuarën mediat britanike kanë raportuar se grupet kriminale shqiptare në Angli paratë e fituara nga trafiku i kokainës i sjellin në Shqipëri përmes mënyrave të ndryshme. Njëra prej tyre përdorimi i fugonëve që transportojnë mallra nga Anglia në drejtim të qyteteve të ndryshme shqiptare.

Mësohet se tarifa e transportit të parave në mënyrë ilegale shkon nga 15 deri në 20% të shumës që individët janë interesuar për t’i çuar në Shqipëri.

Gjatë vitit të shkuar sipas të dhënave të publikuara nga Dogana Shqiptare janë mbi 15 raste kur personave që udhëtonin nga Londra drejt Rinasit i janë kapur sasi në Paund që varionin nga 25 mijë deri në 70 mijë sterlina.

Po ashtu në pikat e kalimit tokësor në disa raste  është bërë e mundur sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme në Paund. Një prej rasteve është ai i kapjes së 120 mijë sterlinave fshehur në një lavatriçe. Ky rast u zbulua në pikën doganore të Kakavijës.

Në të gjitha këto raste sasia e Paundëve është sekuestruar dhe personave që u është kapur i është kërkuar të vërtetojnë burimin e tyre. Në rastet kur ata nuk mundet ta bëjnë këtë paratë sekuestrohen dhe ata shkojnë për ndjekje penale për pastrim parash.

Top Channel