Do të vijnë 500 mijë vaksina kineze/ Miratohet në qeveri kontrata e blerjes së vaksinave. Mbërrijnë së shpejti

19/05/2021 15:21

Problemet e krijuara me mungesën e vaksinës Coronavac, si në Tiranë edhe në rrethe, pritet të zgjidhen këto ditë.

Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, ka kaluar kontrata për 500 mijë doza të tjera të vaksinës Coronavac, të cilat do të vijnë nga distributori turk.

Më herët, qeveria shqiptare kishte rënë dakord në parim për një sasi prej 1 milion vaksinash, por kontrata e parë u bë për 500 mijë, të cilat u aplikuan me shpejtësi te qytetarët, bazuar në planin e vaksinimit, ku pjesa më e madhe e qytetarëve ka bërë dozën e parë dhe vetëm disa prej tyre arritën të merrnin të dyja dozat.

Ka pothuajse një jave, që ata të cilët duhet të bënin dozën e dytë të vaksinës Coronavac, nuk u vaksinuan për shkak të mungesës së vaksinës. Përveç Tiranës, mungesa janë krijuar edhe nëpër qendra shëndetësore në rrethe.

Por, këtë të mërkurë, ka marrë miratimin në qeveri, sasia prej 500 mijë vaksinash të tjera, të cilat pritet të mbërrijnë së shpejti.

Ekspertët e vaksinimit u bëjnë apel qytetarëve, që nuk ka vend për t’u shqetësuar, pasi shtyrja në kohë e dozës së dytë nuk krijon asnjë problem.

Top Channel