Një nga personat e dyshuar të vrasjes së Tauland Gjikaj, ngjarje e ndodhur në datën 3 mars 2021, në rrugën Transballkanike përballë Gjykatës së Apelit në Vlorë është vetëdorëzuar.

Bëhet fjalë për Skerdian Gabranin, i cili gjatë kësaj kohe ka qëndruar i fshehur në qytetin e Vlorës. Gjatë momentit që ai ka folur për Top Channel, ndërsa ishte duke shkuar për në Komisariat, Gabrani ka qenë shumë i tronditur për ngjarjen dhe në disa momente sytë e tij janë mbushur me lot.

Ai tregon çfarë ka ndodhur atë ditë në rrugën Transballkanike, ndërkohë që avokati i tij i cili e shoqëroi në ambientet e policisë flet për klientin e tij.

Në edicionin e lajmeve të orës 19:30, në Top Channel do të ndiqni intervistën me të vetëdorëzuarin Skerdian Gabrani.

Personi i arrestuar një ditë pas ngjarjes së rëndë

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, policia shoqëroi Hansi (Andi) Jonuzajn, 44 vjeç, banues në Vlorë, i cili me automjetin tip “Ford”, tentoi të largohej bashkë me një armë zjarri tip kallashnikovi.

Pas arrestimit ai nuk pranoi krimin duke thënë që s’kishte lidhje me ngjarjen, por pamjet filmike, gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes si dhe kapja e tij në po të njëjtin mjet që ka ndodhur vrasja, kanë qenë prova të pakundërshtueshme për policinë, e cila ka bërë arrestimin e tij.

Tashmë në kërkim është edhe Elton Hajnaj, i cili dyshohet se në bashkëpunim me Skerdian Gabranin, kanë ekzekutuar Tauland Gjikajn, djali i një ish-punonjësi policie me precedent të mëparshëm penal.

Kush ishte viktima Tauland Gjikaj?

Viktima Tauland Beqiraj, që njihej edhe me mbiemra të tjerë si Gjikaj apo Manaj nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ai ishte arrestuar për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.

Ai u kap nga policia e Vlorës në vitin 2018 duke udhëtuar në makinë i armatosur edhe pse ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi u përfshi në një përplasje mes bandave në Vlorë.

Në makinë, Manajt iu gjet një armë tip pistoletë luftarake “Baretta”, kalibër 9mm, lëndë narkotike 0.688 gram kanabis, karikator me fishekë dhe 1250 euro. Ai u lirua në vitin 2018 nga tre gjyqtarët, Nazmi Troka, Klodiana Gjyzari dhe Hysen Saliko me kryesues këtë të fundit, duke  i ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”.

Tauland Beqiraj u arrestua nga policia për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Top Channel ka siguruar dosjen e tij ku vendimi për ta liruar nga hekurat merret nga tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Vlorë. Gjykata e Vlorës e deklaroi fajtor Manajn për mbajtje pa leje dhe prodhim të  armëve shpërthyese e municionit duke e dënuar me 3 vite e 6 muaj burg dhe për veprën “Largim nga vendi i qëndrimit të burgosurit” duke e dënuar me 6 muaj burg.

Por me uljen 1/3 të dënimit ai u la në burg për 2 vite e 4 muaj. Ai  doli i pafajshëm për veprën “Prodhim e shitje narkotikësh”. Por kundër këtij vendimi ishte Prokuroria e Gjykatës së Vlorës e cila kërkoi ndryshimin e masës.

FOTO GALERI
2/6
Skerdian Gabrani, pasi ka dale nga makina dhe i drejtohet Komisariatit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA