Zhivani raporton nga Shkodra detajet e reja të vrasjes së Endri Mustafës

18/05/2021 22:14

Gazetari i Top Channel, Klodian Zhivani, ka raportuar nga Shkodra detaje të reja në lidhje me vrasjen mafioze të Endri Mustafës.

Zhivani risjell edhe një herë detajet e mësuara mëngjesin e sotëm, ku u arrestuan 2 persona, njëri prej tyre një 15-vjeçar, si dhe u shpall në kërkim Ibrahim Lici.

Në një deklaratë për media doli babai i Ibrahim Licit, sipas të cilit djali i tij është i pafajshëm dhe akuzon strukturat e policisë së Shkodrës.

Ndërkaq, edhe bashkëshortja e viktimës doli në një deklaratë për media duke hedhur poshtë faktin se familja Lici mund të jetë përfshirë në këtë ngjarje.

Zhivani zbulon se viktima ishte i shpallur në kërkim, por për këtë gjë nuk ka asnjë detajë të dhënë nga policia, por e konfirmon bashkëshortja dhe nëna e viktimës.

Klodian Zhivani: Gjatë mëngjesit jemi njoftuar se ka arrestime dhe është shpallur në kërkim një person. Janë 2 të arrestuar mes tyre një 15 vjeçar, i akuzuar si bashkëpunëtor, si dhe është shpallur në kërkim Ibrahim Lici, 28 vjecc. Jemi njoftuar nga ana e familjes Lici, nga i ati, i cili u paraqit me vonesë në deklaratën për media, pasi ishte pak metra larg shtëpisë së tij, tek familja e viktimës, për të kryer homazhet dhe për të shprehur ngushëllimet. Sipas Licit gjithçka është e sajuar nga policia e Shkodrës dhe për këtë akuzoi strukturat e policisë së Shkodrës dhe drejtorin e policisë, Niko Brahimaj. Lici tha se i biri ka qenë në shtëpi gjatë këtyre ditëve dhe këto prova i ka me pamje filmike, të cilat do ti paraqesë. Ai tha se me familjen e viktimës ka marrëdhënie të mira pasi janë edhe komshi.

Bashkëshortja e viktimës hodhi poshtë faktin se familja Lici mund të jetë e përfshirë në këtë ngjarje pasi sipas saj marrëdhëniet mes dy palëve janë të mira. Ajo kërkoi nga policia e shtetit që të zbardhë veprimet e 15 vjeçarit, një tjetër komshi, i shpallur si bashkëpunëtor, sipas saj ai ka sajuar dhe ka organizuar ccdo gjë. Bashkëshortja tregoi se me të mbërritur bashkëshorti i saj, tre ditë para festës së Bajramit, edhe pse një person i shpallur në kërkim ai mbërriti në shtëpi për të festuar së bashku me fëmijën e tij këtë festë. Në këtë momente ka nisur kontaktet e para me 15-vjeçarin. Ai e ka pritur disa herë pas dere, kanë komunikuar shpesh herë, për të shmangur mesazhet, bashkëshortja na komunikoi se kanë përdor një kod në whatssap. Rreth orës 22:00 15-vjeçari i ka dërguar një foto të një kali për të dalë në derë të shtëpisë. Ai ka njoftuar bashkëshorten duke i thënë se do të dalë për 10 minuta, për të shkuar te zona e Livadheve dhe do të kthehej. Por kjo gjë nuk ndodhi kurrë.

Vasili: A ka patur nga policia një shpjegim se si ka mundësi që një i kërkuar qëndron në shtëpinë e tij?

“Nuk kemi asnjë të dhënë për këtë ngjarje, as nuk ka një reagim se pse 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim. Madje në komunikimin zyrtar nuk thuhet se ishte i shpallur në kërkim, por kjo u konfirmua nga bashkëshortja dhe nëna e tij”, tha Zhivani.

Top Channel