“Muri 5 metra i lartë dhe shtëpia e rrethuar me tela me gjemba”/ Klodiana Lala zbulon vendin e izoluar ku jeton familja Lici

18/05/2021 22:21

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Open” në Top Channel ka folur për ekzekutimin e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur në Shkodër.

Sipas Lalës, Mustafa Lici, babai i të shpallurit në kërkim Ibrahim Lici, i cili sot ka hedhur akuza në drejtim të fisit kundërshtar për vrasjen e Mustafës jeton në një banesë njëkatëshe që vetëm zogjtë mund ta shohim, pasi është e rrethuar me një mur 5 metra të lartë.

Po ashtu Lala u shpreh se për aq kohë sa policia nuk dëshmon lidhjen e Licit me ngjarjen do të thotë që i jep mundësinë Mustafa Licit që të hedhë akuza ndaj grupit kundërshtar.

Lala: Gjejmë elementë mafioz në këtë ngjarje. E dini si jeton sot Ibrahim Lici. Ata kanë një banesë një katëshe që vetëm shqiponjat ose zogjtë mund ta shohin nga lartë, sepse rrethohet nga një mur 5 metra i lartë, ka kamera sigurie të vendosura gjithandej dhe tela me gjemba.

Pozicioni që është lënë viktima dhe fakti që ka filluar tregon se në këtë ngjarje ka elementë të një organizimi mafioz.

Edhe në Shkodër ka elementë mafioz. Ai që konsiderohej si kumbari, Bardhok Pllanaj është qëlluar duke e ndjekur autorët në distancë 150 metra dhe kanë qëlluar të paktën 70 plumba. Aty agresiviteti dhe elementët janë të tipit mafioz.

Dy fiset Lici dhe Bajraj janë në një konflikt të hapur dhe të vazhdueshëm që po prodhon viktima pafund. Fakti që policia nuk jep disa të dhëna që të dëshmojnë lidhjen e Licit me ngjarjen do të thotë që i jep mundësinë Mustafa Licit që të hedhë akuza ndaj grupit kundërshtar.

Në disa qytete të vendit grupet kriminale kanë diktuar njerëz që na përfaqësojnë sot në parlament, bëjnë transferime, bëjnë emërime në fushatë, ndërhyjnë në emërimin e drejtorëve dhe shefave të Komisariateve.

Curri: Që këta të quhen mafie, duhet të kenë një hierarki piramidale dhe duhet të kenë një njeri në krye të tyre.

Lala: Nga e dini që nuk kanë krerë këto organizuata? Po ju sfidoj. Si e shpjegon faktin që Shkodra prodhon kaq shumë viktima?

Curri: Kam kontakte me prokurorë dhe deri tani nuk po them se nuk ka kriminelë, por që nuk ka deri tani në Shkodër, nuk kam prova që ka një organizatë mafioze.

Top Channel