‘Lumë’ ankesash ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, flet kreu i ILD-së: Masat e tjera që mund të merren, përveç shkarkimit

18/05/2021 13:32

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ishte sot i ftuar në studion e “Breaking” në Top News, për të folur për punën e këtij institucioni gjatë këtyre 15 muajve.

“Bilanci është i vështirë të thuhet me pak fjalë. ILD u zgjodh në 20 janar dhe nisi punën ligjërisht në 2020. Më parë ka pasur Ministria e Drejtësisë një insperkorat të vetin. Tashmë asnjë nga këto nuk ekziston, por janë të unifikuar në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Kishte vështirësi të shumta, pasi nuk trashëgonte asgjë nga e shkuara, përveç problemeve. Është bërë një punë e konsiderueshme gjatë këtyre muajve, si në rritjen apo ngjitjen e infrastrukturës, si në rekrutimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të burimeve njerëzore”, tha Metani.

Sipas kreut të ILD-së, deri tani janë kryer e verifikuar një numër i madh ankesash nga institucionet e mëparshme.

“Janë 3000 ankesa, ku ka shkuar te 1000 ankesa të trajtuara. Janë 7 kërkesa për masa disiplinore për gjyqësorët e dy për prokurorët”, tha Metani.

I pyetur nëse është me ë lehtë tani që të shkarkohet një gjyqtar apo prokuror, kreu i ILD-së tha: “Asnjëherë nuk është e lehtë, se e tillë është figura e gjyqtarit e prokurorit. E synimi i këtij institucioni nuk është të heqë dikë, por gjetja e problematikave dhe zgjidhja e tyre. Nuk është qëllim në vetvete masa disiplinore, por gjetja e së drejtës”.

Gjithashtu Metani tregoi edhe hapat që një qytetar duhet të ndjekë për të shkuar deri te hetimi i një prokurori.

“Nëse një qytetar ka ankesë për një gjyqtar, i drejtohet zyrës së ILD-së. Qytetarët mund t’i drejtohen ILD-së përmes faqes së internetit, mund të dërgojnë ankesën me postë, por edhe mund të paraqiten në zyrë. Pasi merret kjo ankesë, kalohet nëpër filtrat ku verifikojmë e hetojmë”, shpjegoi kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.

Gjatë kësaj interviste, Metani tregoi edhe masat e tjera që mund të merren për prokurorët e gjyqtarët, përveç shkarkimit të tyre.

“Ka masa si nga më e ulëta, vrenjta kompetenciale, publike, transferimi i gjyqtarit e deri te shkarkimi i tyre”, tha Metani.

Top Channel