Vetëm 24 orë pas vrasjes së Endri Mustafës, policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen duke arrestuar dy persona dhe duke shpallur në kërkim një të tretë.
Sipas uniformave blu, autori i dyshuar i vrasjes është Ibrahim Lici, 28-vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, i shpallur në kërkim, ndërsa është arrestuar një i mitur 15-vjeçar, i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin e lartpërmendur kanë vrarë me armë zjarri 32-vjeçarin.
Gjithashtu, i arrestuar është edhe Edison Arazi, i cili ka dijeni për krimin. Por, versioni zyrtar i policisë për autorin kundërshtohet nga vetë familjarët e viktimës, të cilët thonë se familja Lici nuk janë vrasësit.
Bashkëshortja e Endri Mustafës tregon se si ai u largua nga shtëpia për të mos u kthyer më.
“Ata janë komshi këtu nuk kemi pasur asgjë problem me ta, unë kam dhënë deklaratën time për të. habitem se si e kanë nxjerrë se nuk kanë lidhje, ne jemi 100% të sigurt se ngjarja nuk ka ndodhur me ta, ne jemi kojshi me ta nuk i kemi pasur asnjë lloj problemi me ta. ai iku në darkë më tha po iki deri në livadh e po vij për 10 minuta, ishte edhe natë, ishte me këtë djalin mbrapa se kishte ardhur dhe e kërkonte vazhdimisht. I kishte bërë disa muhabete, por i thash që mos u merr me të, jo po ai është fëmijë nuk ia vuri veshin e anashkaloi se çfarë mund t’i bënte. Ka ik në 10 të darkës dhe nuk kemi marrë asnjë fjalë nga ai. më gjatë nuk më tha as se ku po shkon as çfarë do të bëjë atje. Nuk ka pasur asnjë lloj kërcënimi, ai erdhi për qejf se çfarë muhabetesh nuk e di se çfarë i ka thënë. Iku me atë 15-vjeçarin nga shtëpia. 15 vjeçari i ka thënë burrit që nuk po të shkruaj mesazhe por dije që kur të dërgoj një fotografi të një kali dil jashtë.
Një djalë 15 vjeç të shprehet ashtu se di, dikush është pas tij sepse nuk kemi pasur konflikt as me të. Deshta me ju thanë , se janë duke na ardh lajme,e ka bërë ai po ai, na ka marrë fisi i Bajrave e na kanë thënë që ne nuk kena lidhje me ngjarjen. Pra të jeni të sigurt që ata nuk e kanë bërë këtë punë . Mediat janë tu na hap fjalë shumë ne nuk e dimë kush e ka bërë, e thashë dhe më herët. të vetmen gjë që dimë është se djali pas shtëpisë sonë , vetëm ai e din se kush e ka ba.
Ai ka dal vetëm me të, policia nëse do me e zgjidh , e zgjidh vetëm me atë se ne s’kemi pas pune as me njërin fis as me tjetrin , nuk është e vërtetë që burri im është vrarë për njërin fis apo për fisin tjetër, kjo nuk është e vërtetë. Janë duke hap fjalë shumë dhe kjo s’është e drejtë, policia dhe prokuroria të kapë policin që e ka liru se e di ai. Për fiset s’kemi dyshime fare s’kemi pas lidhje fare me ta”, u shpreh ajo.
Mustafë Lici, babi i 28-vjeçarit të shpallur në kërkim si autor i vrasjes akuzon policinë e Shkodrës për implikim në këtë ngjarje.
“U shpall në kërkim Ibrahim Lici, për vrasjen e një komshiu tonë. Bashkëpunëtori i kriminelit, është një fëmijë i mitur, me grupin e Esmer Bajrit. Punon pastrues i baglave të kuajve të Esmer Bilalit.
I mituri ka thënë sikur ka kryer bashkëpunim me Ibrahim Licin. Familja jonë është shumë e mbrojtur, jemi me kamera kudo që hamë, kudo që pimë, kudo që rrimë. Ky është një bllof i përgatitur nga policia, që mendojnë se do ta realizojnë duke gënjyer një fëmijë, duke i thënë se do të ketë mbrojtjen tonë. Por, është bllofi i radhës. Drejtori i policisë, në datën 17 të muajit të kaluar, e ka hequr personin nga kërkimi, sepse kishte dy vite që e mbante në kërkim policor.Fati jonë dhe mbrojtja jonë janë vetëm kamerat, ky bllof është vetëm mediatik. Familja e tyre e di shumë mirë se kush ia ka vrarë djalin dhe kush ia ka nxjerrë nga shtëpia me dy telefonata. Krimi është justifikuar në atë mënyrë, sa jetojmë në epokën e horrave. Ne kemi armët tona shumë të fuqishme para policisë, kemi vendqëndrimin, ku pimë kafe, se kështu na ka detyruar jeta.
Isha te familja e tyre, u përqafova me dajat, me të ëmën. Më thanë që e dinë kush ia vrau dhe kush ia bëri këtë poshtërsi. Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera, tërë jetën me ta”, shprehet ai për mediat.
Top Channel