“Shqiptarët janë homofobikë”/ Studimi i Bankës Botërore: Anëtarët e komunitetit LGBTI janë të diskriminuar

17/05/2021 19:57

Në ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, në një studim të Bankës Botërore, është gjetur se personat që i përkasin komunitetit LGBTI, pra Gej, Lesbike, Biseksualë, Transseksualë dhe Ndërseksualë, janë të dhunuar, të urryer dhe të harruar nga shteti i tyre.

Ky studim e rendit Shqipërinë në vendin e parë në rajon si shteti që jo vetëm nuk pranon personat LGBTI, por që i diskriminon ata.

Sipas studimit, 94% e shqiptarëve nuk përkrahin fëmijën e tyre nëse do ta zbulonin se ai I përkiste komunitetit LGBTI. 1 në 3 persona LGBTI, është viktimë e dhunës fizike në familje.

70% e mësuesve shqiptarë deklarojnë se nuk do ta pranonin një person LGBTI edhe sikur të ishte fëmija i tyre.

“Nuk kemi pse i pranojmë gejtë dhe lesbiket. Çuni është me gocën, kështu e ka shkruar Allahu.

I ka zgjidhur gjithë problemet Shqipëria që po merreni me këto problem. Po ky është turp. Po dita e hallexhinjve dhe e njerëzve të ndershëm kur është?

Do ta shohim kur t’u bie radha ta kenë për pjesë një person të tillë në familje se çfarë do të bëjnë këta që bërtasin me të madhe sot.

Unë për veten time jam pak kundër këtyre, Nuk i pranoj dot. Mos më pyet për tema të tilla”, shprehen qytetarët.

Njëmbëdhjetë vjet pas miratimit të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, personat LGBTI vazhdojnë të përballen me dhunë, diskriminim dhe krime të urrejtjes si në familje, ashtu edhe në komunitetet ku jetojnë, dhe institucionet shtetërore në nivel qendror dhe vendor janë ende të pafuqishme për të garantuar gëzimin e të drejtave të barabarta për personat LGBTI si të gjithë qytetarët e tjerë.

Juli Ristani

Top Channel