“Defender Europe 2021”, mbërrijnë në Shqipëri 267 ushtarë amerikane

16/05/2021 19:50

267 ushtarë të Forcave Amerikane i janë bashkuar stërvitjes më të rëndësishme ushtarake në kuadër të NATO-s, “Defender Europe 21” që po zhvillohet në 7 baza të ndryshme ushtarake në Shqipëri. Ushtarët nga Skuadra e 53-të Luftarake e Brigadës së Këmbësorisë u pritën në Aeroportin e Rinasit nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor, Bajram Begaj.

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim e konsideroi këtë një ngjarje historike.

“Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 35 milionë dollarë në Shqipëri, duke punësuar qytetarë shqiptarë si shoferë, punëtorë ndërtimi, kuzhinierë dhe në çdo profesion tjetër. Kështu që kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresojmë vazhdimin e saj në javët e ardhshme. Ne do të kemi më shumë se 6000 trupa gjithsej këtu. Kjo nuk do të ndodhë njëherësh, por janë 6000 trupa të ndryshme, që do të kalojnë nëpër Shqipëri dhe besoj se në fund të kësaj, të gjithë do të kenë provuar mikpritjen shumë të rrallë dhe të mrekullueshme të Shqipërisë, kurse udhëheqësit ushtarakë do të mund të shikojnë vlerën strategjike të bashkëpunimit dhe aleancës sonë shumë të fortë me Shqipërinë.”, tha Kim.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begaj u shpreh se kjo stërvitje ndodh për herë të parë në Shqipëri.

“Është një stërvitje komplekse që përfshin pjesë ajrore, detare dhe tokësore. Sot pjesa pjesë e ekipit të stërvitjes të forcës tokësore që do të bëhet në Bizë është dhe pjesa e ushtarakëve të mbërritur sot prej 276 personash. Kështu është një ngjarje historike jo vetëm për ushtrinë, por dhe për vendin tonë”, tha gjeneralmajor Begaj.

Kolonel Blake Glass, komandant i skuadrës së 53-të Luftarake e Brigadës së Këmbësorisë e konsideroi një rast shumë të mirë bashkëpunimin me Forcat e Armatosura shqiptare në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”.

“Defender Europe 21” është një stërvitje e përvitshme e përbashkët që udhëhiqet SHBA me qëllim rritjen e gatishmërisë dhe ndërveprimit midis ushtrive të Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe ato të vendeve partnere. Më shumë se 28,000 forca shumëkombëshe nga 26 vende do të zhvillojnë aksione pothuajse të njëkohshme në 12 shtete të ndryshme.

Top Channel