Pas 7 dekadash në rrënim, rindërtohet Kisha e Shelbumit/ Myslimanë e katolikë bëhen bashkë, mbahet mesha e parë

14/05/2021 14:28

Kisha e Shelbumit në Selitë të Mirditës është rindërtuar nga banorët e zonës, pa dallim feje.

Kisha e ndërtuar në vitin 1830, u rrënua gjatë periudhës së komunizmit, kur regjimi shpalli Shqipërinë vend ateist. Megjithatë, Nikollë Bushkolaj, i ftuar në “Shqipëria live”, tregon se kishën nuk e harruan asnjëherë. “Për Pashkë, shkonim bekonim bukën. Në mbrëmje mbyllnim perdet dhe dyert e luteshim në fshehtësi. Bibla ishte gjithmonë e fshehur në shtëpi, e fusnim në dhe se kishim frikë mund të na hynin në shtëpi.
Në vitin 1966 u morr vendimi që askush të mos shkelte më në kishë. Filluan t’i vidhnin pjesë të saj dhe të shkatërrohej. Ideja e rindërtimit ka qenë gjatë gjithë periudhës së komunizmit”, thotë ai.

Pas rreth shtatë dekadash, banorët e zonës nisën punën për ta rindërtuar nga e para, por në të njëjtat themele dhe duke ruajtur strukturën e mëparshme.

Nikolla rrëfen se 10 djemtë e tij mblodhën të ardhura për rindërtimin e kishës. “Kam 10 fëmijë. Të gjithë janë nëpër botë. Duke biseduar me ta, doli puna e kishës. Më tha djali i Anglisë, që të bëjmë diçka, e kishte fiksuar kishën që nga kur gjyshja rrëfente për të. Të gjithë nga pak, kontribuan sipas mundësive. Fshatarëve u thashë të punojnë pa lekë apo me lekë, si të donin. Më pas, kam shkuar te prifti, t’i kërkoja leje. Kemi ndërtuar dhe rrugën, morëm ndihmën e bashkisë. Na dhanë fadromën dhe hapëm rrugën. I kërkova të gjithëve ta bënim si duhet, të mos lëvizë asnjë gur dhe të gjithë ishin dakord. Nuk i kemi lëvizur asnjë milimetër, e kemi vendosur në të njëjtat themele”, tregon Nikolla.

Dje, u mbajt mesha e parë, pas kaq shumë kohësh dhe të gjithë tashmë mund ta vizitojnë këtë kishë historike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA