Mbështetje Tiranës dhe Shkupit/ Ministrat e Jashtëm të BE me homologët e të dy vendeve, liderët e Ballkanit në Athinë

14/05/2021 00:33

Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i tyre i plotë në BE , kanë qenë në axhendën kryesore të disa prej takimeve të liderëve të rajonit me udhëheqjen greke ditën e enjte, në kuadrin edhe të Forumit të përvitshëm ekonomik të Delph-it që zhvillohet në kushtet e pandemisë.

Kryeministrat e Serbisë, Malit të Zi, apo të Maqedonisë së Veriut janë takuar në fillim me presidenten e vendit Katerina Sakelaropoylou e më pas edhe me kryeministrin grek Mitsotakis.

‘Κemi gjithashtu mundësinë të flasim për zhvillimet në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë se Veriut të cilën, siç dihet shumë mirë, Greqia e mbështet dhe gjithmonë në bazë të rregullave dhe kushteve ekzistuese, në kontekstin e mbështetjes sonë aktive dhe të fuqishme të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor’- tha Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë.

‘Nuk ka asnjë alternativë tjetër si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor përveç se e ardhmja ne Bashkimin Evropian’- tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Vetëm dy ditë pasi samiti i ministrave të Jashtëm në Bruksel i ka kushtuar vëmendje të veçantë vendeve të rajonit dhe sidomos Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut , të enjten në mbrëmje përsëri këto dy vende dhe perspektiva e tyre europiane kanë qenë në epiqendër të një telekonference të Ministrave të Jashtëm të Shteteve Anëtare të BE, e bashkëorganizuar nga Ministri i Jashtëm Grek dhe homologu i tij Rumun, Bogdan Aurescu.

Të pranishëm kanë qenë edhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut, Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi, si dhe i Dërguari Special i BE për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajčák.

Jo vetëm në shtypin grek por edhe në atë ndërkombëtar orët e fundit është pasqyruar thellësisht fakti që vendet anëtarë të BE, kanë kuptuar se janë vonuar në lidhje me fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me zgjidhjen e problemeve të vendeve të rajonit, zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve si dhe thellimin e reformave që duhet të kryejnë.

Top Channel