Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se vaksinimi kundër koronavirusit do të vazhdojë edhe në fundjavë, por në një njoftim të lëshuar për media theksoi se do të vaksinohen vetëm ata qytetarë që kontaktohen nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla ‘1 Tetori’ – do të vaksinohen qytetarët, të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-Kosova, dhe sipas terminit të caktuar”, thuhet në njoftim.
Sipas të njëjtit, vaksinimi edhe në komunat e tjera do të bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit.
Mëngjesin e së premtes, Policia e Kosovës u desh të ndërhyjë për të vënë rend pranë sallës “1 Tetori” në Prishtinë, ku ishin mbledhur një numër i madh qytetarësh për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.
Tollovia nxiti edhe reagimin e partive opozitare në Kosovë, të cilat e akuzuan Qeverinë për dështim në menaxhimin e vaksinimit.
Nga 12 maji, në Kosovë nisi faza e dytë e vaksinimit, që përfshin personat e moshës 65 deri në 79 vjeç.
Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.
Në fazën e tretë, ndërkaq, është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.
Ministria e Shëndetësisë tha se të premten, deri në orën 17:00, janë vaksinuar rreth 3,100 qytetarë të Kosovës.
Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.
Vendi nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike./rel
Top Channel