Fitër Bajrami/ Imami: Ramazani më i lehtë në këtë 10 vjeçar, thuajse çdo gjë është kthyer në normalitet

13/05/2021 10:35

Besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit. Emisioni “Breaking” në Top News nisi sot pikërisht me një lidhje “Skype” me imamin, Ahmet Kalaja, i cili u shpreh se këtë vit është më ndryshe.

“Fasha e orarit është liruar deri diku, e nuk është si vitin e kaluar. Iftaret dhe faljet në xhami janë kryer. Vitin e kaluar ka qenë diçka e veçantë, që mos ndodhtë kurrë”, tha imami.

Ndërsa i pyetur në lidhje me faljen e bërë mëngjesin e sotëm në sheshin “Skënderbej”, Kalaja tha se “ishte ishte diçka e mrekullueshme”. Ai uroi se kjo të jetë një pikë kthese për gjithë Shqipërinë.

“Në përgjithësi një falje e tillë të jep emocione pozitive. Të gjithë i drejtohen Zotit. Kur është dita e Bajramit në shesh vijnë edhe njerëz që nuk shkojnë rregullisht në xhami. Është një lloj ndjenje pozitive që e marrin edhe ata që nuk janë shumë besimtarë apo nuk shkojnë në xhami. Ndërsa për ata që kanë agjëruar, sot është dita e gëzimit, kur ata do të marrin dhuratat nga Zoti i gjithësisë. Është diçka nganjëherë që nuk përshkruhet, se është shpirtërore”, tha Kalaja.

I pyetur se si ka qenë ky muaj, si ishin ditët e agjërimit, imami tha se ka qenë ndryshe nga Ramazanët e tjerë.

“Ka qenë më i lehti në këtë 10-vjeçar, sa i përket agjërimit. Pasi kemi agjëruar në korrik apo gusht. Kësaj radhe ka qenë më fresk, nuk ka qenë ajo ndjesia e lodhjes shumë, edhe pse ka të bëjë shumë me mendjen. Por vapa ndikon te lodhja e tij. Në këtë Ramazan çdo gjë është kthyer pothuajse në normalitet, iftarët apo faljet në xhami janë bërë”, tha Kalaja.

Top Channel