Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike kanë dërguar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve ankimime për rezultatin e zgjedhjeve në 9 qarqe.
Anëtari i KAS, Ledio Braho, shpjegon si po vazhdon procesi i verifikimit të ankimimeve. “Janë bërë ankesa për 10 qarqe, nga PD, LSI dhe 3 ankimime nga kandidatë të pavarur, që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje. Kryesisht, opozita kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve në 9 qarqe.
Aty flitet për shkelje të rënda të ligjit, jo vetëm shkelje të kodit zgjedhor. Nëse gjendet qoftë një fletë votimi e manipuluar, do të vërtetohen personat përgjegjës. Gjithsesi, një fletë votimi, nuk e bën të gjithë procesin të pavlefshëm. Ajo që mund të dalë nga hetimi administrativ, nëse del që një qendër votimi është krejtësisht e manipuluar, ndryshon rezultatin”, thotë ai.
Ai veçon qarkun e Durrësit dhe Beratit, ku shpjegon se vetëm aty mund të ketë ndryshim të rezultatit: “Nga ankimet, del që të vetmet qarqe janë Berati dhe Durrësi, ku LSI pretendon rinumërim në disa prej qendrave të votimit. Në Berat, LSI e ka humbur mandatit për 77 vota dhe një rivlerësim i votave të pavlefshme dhe votave të tjera mund të sjellë ndryshim. Mjafton që një anëtar i KAS, të kërkojë rihapjen e një kutie me fletë ku ka shënime apo ku mendohet se ka shkelje në numërim dhe vlerësim, dhe pasi bëhet, mund të dalë rezultat i ri”.
Braho tregon pretendimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat: “Një nga rastet që LSI ngre për qarkun e Beratit, janë disa qendra votimi, ku kërkojnë pavlefshmërinë sepse nuk ka listë zgjedhësish. Nuk është printuar një listë zgjedhësish nga pajisja Pay, po ashtu nuk ka “hard copy”, që të kenë nënshkruar votuesit. Kjo do të shihet, nëse është pavlefshmëri apo jo. Që të pranohet pavlefshmëria në një qendër votimi, duhet të jenë dakord, katër anëtarë të KAS-it, shumicë e cilësuar”.
Në qarqet e tjera kërkohet pavlefshmëri totale e zgjedhjeve, gjë që duket shumë e vështirë për t’u verifikuar, thotë anëtari i KAS. “Duke iu referuar të gjitha ankimimeve, përveç qarkut të Beratit dhe të Durrësit, të gjitha ankimimet e tjera, pretendojnë vetëm për pavlefshmëri totale të zgjedhjeve. Është e vështirë për t’u provuar dhe do të varet dhe nga mënyra si do të kryhet hetimi nga KAS, nëse do të pranohen prova të tjera.
LSI i bazon këto pretendime nga filmimet që ka marrë nga KQZ, për çdo kuti numërimi. Pretendimet e PD-së kanë të bëjnë me vullnetin e votuesit, para se të shkonte të votonte”, sqaron Braho në Top Talk.
Top Channel