Sekuestro pasurive të tre ish-gjyqtarëve/ Gjykata: Të hetuarit u përfshinë në aktivitete të paligjshme dhe vunë pasuri

12/05/2021 12:33

Pak ditë më parë SPAK kërkoi sekuestrimin e pasurive të tre ish gjyqtarëve Fatos Lulo, Shkëlzen Selimi dhe Bashkim Dedja të shkarkuar nga vettingu.

Kjo kërkesë u miratua nga Gjykata e Posaçme e cila vendosi sekuestro. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dosjen me vendimin e Gjykatës, ku thuhet se secili prej tre ish gjyqtarëve dyshohet se është përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe këto pasuri i kanë vendosur nga përfshirja në këto aktivitete.

Gjykata mbi bazën e provave të shqyrtuara nisur nga lloji dhe vlera e pasurisë objekt sekuestroje, vlerëson se ekziston rrezik real për transferimin ose tjetërsimin e pasurisë objekt sekuestroje tek persona të tjerë, familjarë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e kësaj pasurie.

Thuhet se për t’i dhënë efekt procesit penal, nuk është marrë parasysh vendimmarrja administrative për shkarkimin e secilit, por të ardhurat vit pas viti e gjyqtarëve dhe të afërmeve. Dyshohet se ata përdorën familjarët për të fshehur pasuritë që janë nën sekuestro.

Aktualisht janë nën hetim dhe 7 ish gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga 20 që janë verifikuar deri më tani dhe pritet që pasuritë e tyre të kenë të njëjtin fat.

Në vendimet që Top Channel disponon për tre ish gjyqtarët, thuhet më tej se SPAK ka angazhuar një ekspert, i cili ka evidentuar dhe ka kontrolluar të gjitha pasuritë.

Në këtë fazë dyshohet se Lula ka kryer deklarim të rremë, thotë gjykata e antikorrupsionit, sa i takon një dyqani prej 172 m2, pasi kjo pasuri fiktivisht është deklaruar si dhuratë nga një e afërm. Ish gjyqtari e ka apeluar vendimin në shkallën e dytë dhe kërkon heqjen e sekuestros.

Për ish kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, gjykata i referohet SPAK që këmbëngul se banesa prej 60 metra katrorë e sekuestruar në Durrësi, efektivisht zyrtarizohet nga Dedja, ndonëse formalisht është regjistruar nën emër të të vëllait me qëllim për ta fshehur.

Nën sekuestro, Gjykata ka vendosur edhe pasuri të gjyqtarit Shkëlzen Selimi, i cili u kontrollua nga vettingu vetëm për një kriter, atë të figurës por që sërish eksperti kontabël i angazhuar nga SPAK ka nënvizuar gjetje të rëndësishme për hetimin penal.

Top Channel