Krimet zgjedhore/ Thirrja e kryeprokurorit Çela për prokuroritë e vendit: Hetimet të shoqërohen me proces transparent

12/05/2021 15:30

Kryeprokurori Olsian Çela ka folur për krimet zgjedhore para mediave pas takimit që zhvilloi me prokurorët e Durrësit duke i bërë thirrje të gjitha prokurorive të rretheve gjyqësore në vend që të hetojnë rastet në transparencë të plotë dhe rezultatet t’i transmetohen publikut.

“Në lidhje me hetimin e krimeve zgjedhore është kërkuar nga prokuroritë të ketë përgjigje të shpejta në drejtim të këtyre proceseve. E rëndësishme është që hetimet të shoqërohen në proces transparent, që publiku të jetë i qartë, e të ketë informacion të plotë në atë çka bërë Prokuroria. Duhet të jemi të besueshëm dhe integritetin e prokurorëve dhe prokurorisë.

Çështja e zgjedhjeve është çështje që prek shumë prokurori të rretheve gjyqësore e kanë impakt në të gjithë vendin, ndaj rezultati i çdo hetimi, është i rëndësishëm. Rëndësi ka që hetimet të jenë të plota, të kryhen në kohën e duhur e rezultatet t’i përcillen publikut.

Ne jemi drejtuar disa herë prokurorive të rretheve gjyqësore, i është ofruar mbështetja për të kryer hetimet e plota dhe profesionale që lidhen me zgjedhjet”, u shpreh Çela.

Ndërsa për blerjen e votës, Çela tha se është kompetencë e Prokurorisë së Posaçme dhe nuk dha detaje.

Në lidhje me vrasjen e ndodhur në Elbasan para zgjedhjeve, kryeprokurori tha se është e rëndësishme që të mos humbë fokusi për asnjë çështje.

“Mendoj që ka nevojë që prokuroria të mos humbë fokusin mbi asnjë çështje të rëndësishme, prokurorët të kryejnë detyrat e tyre dhe të jenë proaktivë. Ndaj mbetet prioritet i prokurorisë që të jenë koherente dhe të kenë bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme”, u shpreh Çela.

Top Channel