Atentatet mafioze në vend/ Muzhaqi: Krimi është sofistikuar, por për hetimin e tyre përdoren të njëjtat metoda të vjetra

12/05/2021 21:46

Vrasjet mafioze të ndodhura javët e fundit në vend tregojnë për skema krimi të mirë menduara dhe të sofistikuara, sipas ekspertëve.

Eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, argumenton se metodat e policisë dhe grupeve hetimore janë po të njëjtat. “Pak a shumë punohet me të njëjtët njerëz dhe të njëjtat metodologji klasike, ndërkohë që qyteti është i shqetësuar dhe krimi është shumë para. Është e dhimbshme, sepse sado i sofistikuar të jetë krimi, bëhet fjalë për një qytet si Elbasani me mbi 400 mijë banorë”, thotë Muzhaqi, duke iu referuar vrasjes së Everest Çakës, një ditë më parë në Elbasan.

Sipas tij, krimi ka avancuar më shumë pas liberalizimit të krimit. “Kjo gjendje e rënduar nuk është e re. Për sa i përket mënyrës së operimit, është zhvilluar me liberalizimin e vizave. Lidhjet që kanë krijuar me grupet jashtë, i ka mundësuar që nga banda lokale dhe me aktivitet të ulët, të kalojnë në banda të mëdha, në nivele më të rëndësishme”, shpjegon eksperti në emisionin “Open”, në Top Channel.

Më tej, shton se eksponentët e krimit janë të njëjtët dhe organet kompetente duhet të bëjnë më shumë për identifikimin e tyre. “Kemi të bëjmë me grupe të njëjta. Shumica janë grupe personash, që kanë konflikte të hershme, të njohura”.

Top Channel